Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar Fehmi Aganin në 25 vjetorin e vrasjes.
Abdixhiku tha se Agani ishte “i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi” dhe e ka konsideruar si një ndër figurat më të mëdha kombëtare.
“Politikani, sociologu, truri i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dora e djathtë e Residentit Rugova, mbetet njëri ndër figurat më të mëdha kombëtare. Maturia, urtësia e thellësia e mendimeve të tij, janë shenja të secilit kujtim që sot kemi për të.”
Kreu i LDK’së tha se vrasja e Aganit ishte akt hakmarrjeje për triumfin historik të Koosvës.
Abdixhiku ka folur për biografinë e Aganit.
“Fehmi Agani u lind në Gjakovë në vitin 1932, ku dhe mbaroi shkollimin fillor. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë, ndërsa studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit; ku dhe magjistroi në shkenca politike. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, në temën “Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Gjatë viteve 50-ta e 60-ta, ai punoi si profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë ishte i anagzhuar si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitet 60-ta nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik; për të përfunduar si dekan aty. Në vitin 1967, profesor Agani u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Fehmi Agani ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ai ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema. Në fund të vitit 1989, ai së bashku me intelektualë e patritotë të kohës, themeloi lëvizjen më të madhe politike të shqiptarëve të Kosovës – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pjesa tjetër është histori lavdie.”
“Në këtë përvjetor prej çerek shekulli, së bashku me struktura nga mërgata, nderuam dhe kujtuam profesor Aganin mu te këndi i tij, tani pjesë e pandashme e shtëpisë së madhe të demokracisë!”