Reagon kardiologu i mirënjohur: Shitësit mashtrues të çajit për ta shitur produktin e tyre kanë keqpërdorur emrin tim

Kardiologu i mirënjohur, Daut Gorani, ka reaguar në profilin e tij në Facebook, për një intervistë siç thotë ai të sajuar, e ku reklamohet një çaj.

“Pra intervista është e imagjinuar dhe e sajuar ku shitësit mashtrues të çajit, të cilët për ta shitur çajin e vet kanë keqpërdorur emrin tim”, ka shkruar ai në Facebook.

Reagimi i plotë i Daut Goranit:

Miq të dashur, në media po qarkullon përsëri një artikull për një interviste timen me gazetaren e RTK 3, Njomza Berisha – Miftari.

Dëshiroj të ju bëjë me dije përsëri që unë nuk kam dhënë kurrfarë interviste për çajin “Hypertea” që po reklamohet, e aq më tepër nuk kam patur kurrfarë dueli me njëfarë farmacisti Klodian Llakaj.

Pra intervista është e imagjinuar dhe e sajuar ku shitësit mashtrues të çajit, të cilët për ta shitur çajin e vet kanë keqpërdorur emrin tim.

Sa po mund ta kuptoj unë autorët e kësaj sajese mediatike janë nga Shqipëria, një lloj mafie farmaceutike, të cilët për të shitur produktet e veta pa vlerë mjekësore keqpërdorin emrat e mjekëve, dhe kësaj radhe emrin tim.

Andaj, e përsëris se unë nuk kam kurrfarë lidhje me këtë çaj, dhe ndërlidhja e emrit tim me këtë produkt mashtrues është qëllimkeqe dhe për mua e bezdisshme.

Heren e parë mendova ta kaloj me një demant të rëndomtë, por meqense mashtruesit nuk po ndalen, tani vendosa që pos demantit do të bëjë denoncim në policinë kibernetike dhe institucionet relevante.

Me respekt,

Daut Gorani