Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Europës duke u shprehur se ky vit shënon plotësimin e kritereve nga Kosova për anëtarësim.
Ai thekson se Kosova ka plotësuar kriteret për anëtarësim dhe kjo nënkupton forcën e demokracisë sonë dhe sundimin e ligjit.
“Sot, 75 vjet më parë, u themelua Këshilli i Europës organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut. Ky vit shënon njohjen e Kosovës si një vend që plotëson kriteret për t’u bashkuar, duke nënkuptuar forcën e demokracisë sonë, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët ndaj të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti.
Më 16 prill 2024, shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan. Atë ditë, asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.
Çështja tashmë ka kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.
Çfarë është Këshilli i Evropës?
Këshilli i Evropës është themeluar më 1949. Kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.