Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës Veriore, Katarina Axhançiq, ka thënë se ajo takohet hapur dhe publikisht me kryeministrin Albin Kurti “për dallim nga shumë politikanë serbë të Kosovës, të cilët takohen fshehurazi”.
Ka treguar se vetëm gjatë 15 ditëve të fundit është takuar dy herë me kryeministrin kosovar.
Në një intervistë për KosovaPress ajo ka thënë se me të përveç anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kanë biseduar edhe për tema të ndryshme të cilat ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësorë të qytetarëve të veriut.
Sipas saj, komunikimi në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore është i pashmangshëm dhe duhet të ekzistojë për të mirën e qytetarëve.
Nënkryetarja e Mitrovicës Veriore, theksoi se deri tani nuk është sulmuar asnjëherë nga askush për shkak të bashkëpunimit të saj me institucionet e Republikës së Kosovës, ndonëse nuk e përjashton një gjë të tillë në të ardhmen.
Ajo ka ftuar qytetarët serbë të veriut t’i përgjigjen pozitivisht këtij procesit të regjistrimit të popullsisë.