Policia e Ferizajt njoftoi se mbrëmë rreth orës 23:43, në rrugën “Astrit Bytyqi” ndaloi një veturë të tipit Audi, me targa të Maqedonisë së Veriut.
Në veturë gjendeshin katër të dyshuar, tre prej të cilëve po kërkoheshin për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje”, ndërkaq një tjetër po kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar.
Burime të Indeksonline pohojnë se të dyshuarit në fjalë janë: A.Krasniqi, S.Ramadani, F.Toqi dhe B.Krasniqi.
Teksa A.Krasniqi, S.Ramadani dhe F.Toqi po kërkoheshin për vrasje në tentativë, për të dyshuarin B.Krasniqi pati urdhër arrest ndërkombëtar, të lëshuar nga Maqedonia e Veriut.
Të njëjtit dyshohet se më 17 tetor të vitit të kaluar, rreth orës 00:30, u përfshin në një konflikt që çoi në të shtëna me armë zjarri në një lokal të Ferizajt.
“Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri (pistoleta) dhe sasi e municionit. Ndërsa katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme”, bëri të ditur policia në njoftimin e publikuar më herët gjatë ditës.