Arrestohen katër shtetas të RMV-së, tre për gjuajtje me armë e një me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt i ka arrestuar katër persona me shtetësi maqedonase, ku tre prej tyre ishin të kërkuar për “vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje”, dhe një tjetër i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Sipas policisë, tre personat e parë ishin të përfshirë në një rrahje të ndodhur më 17 tetor të vitit të kaluar në Ferizaj, ku kishte edhe të shtëna me armë zjarri.

“Me datën 03.05.2024 rreth orës 23:43 ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën ” Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut”.

“Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri ( pistoleta) dhe sasi e municionit. Ndërsa katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.