Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë një intervistë për mediumin serb “Nova”.
Në këtë intervistë, Lajçak e ka bërë të qartë që duhet të ketë progres nga të dyja palët për zbatimin e marrëveshjeve pa parakushte e vonesa. Çka tha Lajçaku?
Duke folur për punën e tij si ndërmjetësues, Lajçak deklaroi se BE-ja nuk mund ta dëshirojë më shumë normalizmin sesa Kosova e Serbia. Tutje, Lajçka tha se është për të ardhur keq që palët, pra Kosova e Serbia, nuk janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar.
“Kishte përparime dhe pengesa, zhgënjime dhe gëzime gjatë rrugës. Marrëveshja e vitit të kaluar për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër është diçka që duhet theksuar. Kjo marrëveshje ofron një kornizë të qartë për të ardhmen e procesit të normalizimit – të rënë dakord nga të dyja palët dhe duke hapur rrugën për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Është për të ardhur keq që palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje se si do të zbatohet marrëveshja. BE-ja ka bërë gjithçka që mundi, por ne nuk mund të dëshirojmë normalizim më shumë se Kosova dhe Serbia. Të dyja palët zotërojnë procesin dhe duhet të marrin vendime të vështira politike. Do të vazhdoj përpjekjet për të filluar zbatimin e Marrëveshjes deri në ditën e fundit të mandatit tim” – tha ai, transmeton Nacionale.
Në këtë intervistë, Lajçak vlerësoi se përgjegjësitë për të dyja palët janë të qarta. Sipas Lajçakut është në dorën e Kosovës të nis procedurën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia duhet të fillojë me njohjen e simboleve të Kosovës.
“Përgjegjësitë e palëve janë të qarta: i takon Kosovës që të inicojë procedurën për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe të pranojë draft-statutin evropian dhe i takon Serbisë që ta përmbushë. obligimet e saj të shumta paralelisht, duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve – që parashihet me planin e sekuencës së hapave të zbatimit” – ka theksuar Lajçak.
“Të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit në zbatim – jo në bazë të veprimeve apo deklaratave publike të palës tjetër. Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjen”, ka shtuar Lajçak në këtë intervistë për Novan.
Në intervistë, Lajçak foli edhe për kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se janë dy liderë me mandate të forta.
“Të dy liderët kanë mandate të forta për të marrë vendime të vështira politike, të cilat procesi i dialogut i kërkon në mënyrë të pashmangshme. E kam përmendur tashmë se normalizimi i marrëdhënieve është vendimtar edhe për Kosovën edhe për Serbinë që të përparojnë në rrugën e tyre evropiane, kështu që Dialogu nuk ka të bëjë vetëm me normalizimin e marrëdhënieve por edhe me të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë” – ka vlerësuar Lajçak.