Sot bëhen 8 vite që FFK (Federata e Futbollit të Kosovës) u bë anëtare me të drejta të plota të UEFA-s. Një arritje jetike për futbollin dardan.
I njeri Fadil Vokrri, i cili mbante postin e kreut të FFK-së, loboi fort për anëtarësimin e Kosovës në qeverinë europiane të futbollit. Ndërkohë që kontribut të madh në këtë aspekt dha edhe Armand Duka.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i futbollit shqiptar e kujton me krenari dhe emocione 3 majin e 8 viteve më parë. Teksa shkruan:
“3 maji i vitit 2016 ishte historik! FFK u bë anëtare e UEFA-s me të drejta të plota dhe ne jemi krenarë që ishim pranë saj dhe punuam fort që komuniteti i futbollit të Kosovës të merrte atë që i takonte me të drejtë.
Anëtarësimi në UEFA hapi një kapitull të ri në futbollin e Kosovës, që tashmë garon me dinjitet në arenën ndërkombëtare. Qoftë në nivelin e përfaqësueseve, qoftë në atë të klubeve.Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë krah FFK-së që në hapat e parë me Fadil Vokrrin, një emër i shquar që dha një kontribut të madh për futbollin në Kosovë. Dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë.
Kosovë, FFK, President Agim Ademi, urime 8-vjetorin e anëtarësimit në UEFA!”, shkruan presidenti i FSHF-së, njëkohësisht zv. president i UEFA-s.