Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur sot në një familje në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari 28-vjeçar e ka shtyrë nënën e tij dhe për pasojë 44-vjeçarja ka rëndë nga shkallët e katit të dytë, duke pësuar lëndime trupore.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije se motivi i rastit dyshohet se lidhet me një konflikt verbal, pasi viktima nuk kishte para për t’i dhënë ashtu siç i biri ia kërkoi.
Rasti u denoncua në Polici dhe si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.