Kryeministri Edi Rama, nga ceremonia e nderimit të Ali Ahmetit si Qytetar Nderi në Këshillin Bashkiak të Tiranës, nuk kurseu një koment për ndërhyrjet në zgjehdjet e fundit presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe pozitën politike të shqiptarëve.
Kryeministri Edi Rama, nga ceremonia e nderimit të Ali Ahmetit si Qytetar Nderi në Këshillin Bashkiak të Tiranës, nuk kurseu një koment për ndërhyrjet në zgjehdjet e fundit presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe pozitën politike të shqiptarëve. Kryeministri u shpreh se shqiptarët nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e Maqedonisë së Veriut, aq sa t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të sherrit për më shumë pushtet, duke nënvlerësuar kështu mundësinë e dobësimit politik të faktorit shqiptar.
Rama nuk u zgjat shumë në këtë çështje, duke thënë se nuk do që kurrsesi opinioni i tij mbi këtë pikë të komentohet si një ndërhyrje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. Ky koment i kryeministrit Rama duket si një ‘thumb’ për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet që u mbajtën në Maqedoni për Presidentin e ri.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti dhe as nuk do kishin dot një pluralizëm demokratik aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare, sa t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet, duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik te faktorit shqiptar. Ky mund të jetë rasti por nuk është momenti që të shtjelloj më tutje këtë që thash sepse nuk dua në asnjë mënyrë që një shprehje e plotë e opinionit tim sot të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne s’kemi asnjë qëllim të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe të shqiptarëve”, tha Rama.
Më tej Rama pati një mesazh për të gjithë shqiptarët, duke u thënë se duhet të zgjedhin interesin e Maqedonisë së Veriut dhe të mbrojnë pozicionin e tyre nga ndikime të jashtme që synojnë destabilitet dhe shkatërrimin e arritjeve të shqiptarëve.
“U them të shihni vetëm e Maqedonisë së Veriut, që është sot më shumë se kurrë ndonjëherë edhe e tyrja, krah për krah me bashkëqytetarët e tyre maqedonas dhe me të gjitha minoritetet që jetojnë në atë Republikë dhe ta mbrojnë Republikën tyre ashtu si edhe pozicionin e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtë të cilat synojnë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe mirëqenien e shtetit fqinj e që në asnjë rast nuk mund t’iu sjellin shqiptarëve asgjë më të mirë se ata kanë arritur, po përkundrazi mund t’u shkaktojë atyre dëme për ato që janë arritur”, tha Rama.
Kryeministri Albin Kurti është akuzuar gjerësisht në media për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, ndërsa analistët i kanë komentuar qëndrimet e Kurtit si lëvizje për të goditur pozitën e Ali Ahmetit në Maqedoninë e Veruit.
“Së pari ai kërkon të defaktorizoj Ali Ahmetin, politikanin veteran, i cili do të merrte meritat historike nëse do ta mbante të bashkuar faktorin shqiptar në këtë betejë. Fiksimi i tij për të nxjerrë nga politika ish udhëheqësit e UCK buron nga një anë nga inferioriteti që ai ka për vendin e tyre në histori dhe nga ana tjetër nga deliri që ka për tu bërë një udhëheqës I botës shqiptare në ish Jugosllavi, pas dështimit të turpshëm në Shqipëri”, ka shkruar Mero Baze në një artikull të 25 prillit.
Një takim i Kurtit me koalicionin e partive opozitare shqiptare “VLEN”, nxiti këto reagime. Në listat e këtij koalicioni Kurti ka futur edhe kandidatë për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në zgjedhjet për president, shqiptarët kandiduan të përçarë, me Bujar osmanin të BDI-së, i cili mori 120.803 vota dhe Arben Taravari, kandidati i VLEN me 83.307 vota. Nëse shqiptarët do të kishin kandiduar me një figurë, për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut mund të shkonin në balotazh, duke shënuar një stad të ri të faktorizimit të tyre në shtetin fqinj.
Ndërkohë, një tjetër vizitë e Kurtit më 11 gusht 2023 nxiti reagime ku Kurti u cilësua si përçarës i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ku realizoi një vizitë joformale vetëm me përfaqësuesit e dy partive opozitare dhe anashkaloi BDI-në, partinë më të madhe të shqiptarëve atje.