Nënkryetarja e Kuvendit, Saradnda Bogujevci ka kërkuar që sigurimi ta largojë nga salla e Kuvendit deputetin e LVV-së, Sali Zyba dhe deputetin e PDK-së, Ferat Shala.
Thirrja erdhi pasi situata u tensionua paksa ndërsa PDK-ja kërkonte ta vazhdonte diskutimin me mazhorancën dhe Bogujevci tha se rregullorja s’lejonte që diskutimi të vazhdonte në atë mënyrë.
“Mimoza kundër-replikë. Jo, më falni, nuk mundem secilën herë në bazë të kërkesave të juaja, me dalë jashtë rregullores. Ishte replikë dhe kundër-replikë. Nuk mund t’ia japë fjalën dikujt në kundër-replikë të dikujt tjetër”, tha Bogujevci dhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila e mori fjalën.
Pasi doli në foltore, deputeti i PDK-së e kapi mikrofonin, ndërsa për të ndërhyrë shkoi deputeti i LVV-së.
“I nderuar, e shkelë rregulloren. E shkelë rregulloren. Uluni të gjithë në vendin e juaj. Zoti Zyba në vendin tuaj. Z. Shala në vendin tuaj. Zoti Zyba ju lutem në vendin tuaj dhe zoti Shala a mundeni… mos më detyroni ta thërras sigurimin për të dy. Sigurimi e hiqni prej sallës zotin Shala dhe zotin Zyba. Tani! Tani! Sigurimi (futuni) tani në sallë dhe i largoni të dy deputetët që i përmenda me emër”, tha Boguevci.
“E kam të pamundshme në secilën seancë ku burrat çohen në këmbë dhe më tregojnë mua se si ta bëj interpretimin e rregullores”, tha ajo.
Nënkryetarja e Kuvendit tha se “sigurimi s’po hyn”, duke konfirmuar se kërkesa e saj nuk u përfill.