Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e pesë personave për incidentin me armë zjarri dje në fshatin Lupç të Podujevës.
Sipas policisë, tre nga ta ende janë në trajtim mjekësor dhe nën sigurimin e policisë.
Policia po ashtu ka njoftuar se ka bastisur shtëpitë e të dyshuarve, e ku janë gjetur dhe konfiskuar disa copë fishekë të llojeve të ndryshme, po ashtu janë konfiskuar edhe dy vetura.
“Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që pas një mosmarrëveshje të mëhershme janë përplasur në mes veti, në rast është përdorur edhe armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar të kalibrit të vogël. Të dyshuarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”.
“Me urdhër të prokurorit, janë bastisur shtëpitë e personave të dyshuar, në njërën prej tyre janë gjetur dhe konfiskuar disa copë fishekë të llojeve të ndryshme, po ashtu janë konfiskuar edhe dy vetura. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje, mirëpo tre prej tyre ende janë duke marr tretman mjekësor në QKUK dhe janë nën sigurim të policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Katër persona kanë mbetur të plagosur të mërkurën në orët e pasdites në Lupç të Podujevës. Tre prej tyre janë plagosur me armë zjarri, ndërsa njëri me thikë.
Prokuroria ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje mes disa personave që janë familjarë. Tashmë, pesë persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është cilësuar si tentim vrasje.
“Rreth orës 16:00 si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Lupç të Podujevës janë plagosur tre persona, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga thika”.
Të katërtit janë dërguar në Klinikën Emergjente të QKUK, ku kanë qëndruar patrulla të shumta të Policisë.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurve kanë folur nga Qendra Emergjente në QKUK.
“Një 50 vjeçar, që është në mesin e katër të plagosurve me armë zjarri në Lupç të Podujevë, është në rrezik për jetë”, ka thënë mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK, Agron Çitaku.
Çitaku tha se njëri person i plagosur, i moshës rreth 50 vjeçare, është në gjendje më të rëndë dhe pritet të operohet.
“Kanë mbërri katër raste. Trajtimi ka zgjatur deri tani. Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, dy më të lehtë. Ata mund të lëshohen. Ata kanë plagë shpuese dhe trajtimi është duke vazhduar. Njëri do të futet në sallë të operimit. Për momentin njëri prej tyre mund të themi se është në rrezik për jetë. Të tjerët jo”, ka deklaruar Çitaku.
Pas trajtimit mjekësor që mori në Emergjencë, një nga të lënduarit është arrestuar, ndërkaq më vonë Policia bëri të ditur se pesë personave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.