Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se komandanti i UÇK-së Ilaz Kodra dëshmoi se “lufta për liri ishte e drejtë e jona”.
Në seancën e Kuvendit në nderim të komandantit që ra dëshmor 25 vjet më parë, Osmani tha se falë tij dhe të tjerëve që u flijuan, tash jemi të lirë e shtet.
“Falë Ilaz Kodrës dhe mbi 3000 dëshmorëve të UÇK-së ne jemi të lirë, jemi në shtëpinë tonë, jemi në Republikën tonë, shtet sovran e të pavarur”, tha ajo.
Osmani kujtoi se “bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, Ilaz Kodra, në këtë përpjekje për mbrojtjen e popullsisë civile dhe për mbrojtje të Kosovës nga regjimi gjenocidial i Millosheviqit, ra heroikisht në fushëbetejë, së bashku me 42 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Presidentja theksoi se Ilaz Kodra “ndoqi idealin e komandant Ademit” dhe “ndaj edhe u përjetësua”.
Heronjtë sikurse Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së, Osmani tha se janë “kujtesa jonë e përhershme, janë themeli mbi të cilin është ndëruar shteti ynë, janë kreanaria jonë dhe janë frymëzimi e udhërrëfimi i çdo vepre tonën”.