Katër persona kanë mbetur të plagosur të mërkurën në orët e pasdites në Lupç të Podujevës. Tre prej tyre janë plagosur me armë zjarri, ndërsa njëri me thikë. Prokuroria ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje mes disa personave që janë familjarë. Tashmë, pesë persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është cilësuar si tentim vrasje.
“ Rreth orës 16:00 si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Lupç të Podujevës janë plagosur tre persona, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga thika”.
Këtë fillimisht e konfirmoi zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti për Express.
Të katërtit janë dërguar në Klinikën Emergjente të QKUK, ku kanë qëndruar patrulla të shumta të Policisë.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurve kanë folur nga Qendra Emergjente në QKUK.
“Një 50 vjeçar, që është në mesin e katër të plagosurve me armë zjarri në Lupç të Podujevë, është në rrezik për jetë”, ka thënë mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK, Agron Çitaku.
Çitaku tha se njëri person i plagosur, i moshës rreth 50 vjeçare, është në gjendje më të rëndë dhe pritet të operohet.
Pas trajtimit mjekësor që mori në Emergjencë, një nga të lënduarit është arrestuar, ndërkaq më vonë Policia bëri të ditur se pesë personave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Deri tani, nga ana e prokurorit të shtetit, masë e ndalimit (48 orë) është shqiptuar për pesë persona të dyshuar dhe rasti është cilësuar si vrasje në tentativë”, tha zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti për Express.