Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze gjatë kryerjes së detyrave zyrtareve, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Në shumicën e këtyre incidenteve, motivi lidhet me punën e tyre.
Cak i kërcënimit së fundmi ka qenë edhe një hetues policor në Policinë Rajonale në Mitrovicë, i cili ka raportuar se është kërcënuar nga një person që ishte objekt i hetimit në një rast të grabitjes që ai po e hetonte.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari që përfundoi në ndalim policor është Besim Bislimi, 44-vjeçare.
Bislimi po hetohet nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosja”.
Ndryshe, hetuesi policor që e ka raportuar rastin, ka deklaruar se i dyshuari në vazhdimësi e ka kanosur e madje edhe e ka ngacmuar.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se është duke u ngacmuar dhe kanosur nga një i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.