Një moment interesant ka ndodhur gjatë seancës ku po gjykohen krerët e UÇK-së në Hagë.
Aty derisa dëshmitari Nuredin Abazi po fliste për disa dokumente të UÇK-së, hasi në një dokument që fliste diçka për divizionin e Aviacionit.
Këtu avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e bëri një pyetje interesante duke e kthyer pak në humor, por në anën tjetër duke tentuar ta rrëzojë vërtetësinë e dokumentit.
Dëshmitarin e pyeti se sa luft-anije i kishte pasur UÇK-ja në kohën e luftës. Gjatë këtij momenti, Kadri Veseli nuk po e mbante të qeshurën.
“Divizioni MKA Aviacioni, këtu e ka fjalën për Marinën?”, pyeti avokati Emmerson.
“Besoj që kjo është rregullore që është e jona”, u përgjigj dëshmitari.
Emmerson vazhdoi me pyetjen e cila shkaktoi të qeshura në sallën e gjykimit.
“Sa anije dhe aeroplanë kishte UÇK-ja në vitin 1999? Luftanije sa kishit?”, pyeti Emmerson.
E dëshmitari duke mos e kuptuar qëllimin, u bë edhe pak nervoz.
“Mos bëni shaka, a e njihni Kosovën, a e dini ku gjendet Kosova? Mos të bëjmë shaka jemi njerëz serioz, të përgjigjemi serioz. Këto pyetje janë të ndaluara sa di unë. Të lutem keni kujdes”, u përgjigj Nuredin Abazi.
“Ky ishte qëllimi i pyetjes time, ky dokument në tërësinë e tij nuk është dokument real”, deklaroi Ben Emmerson.
Kush ishte dëshmitari Abazi?
Procesi gjyqësor në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon intensivisht.
Në Hagë tashmë dje filloi dëshminë dëshmitari i 59-të.
Ky dëshmitar është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Pashtrikut, Nuredin Abazi.
Abazi pasluftës ka pasur funksione të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Ai për një kohë të gjatë ka qenë gjyqtar, kurse pas pensionimit ka kaluar avokat.
Kështu thuhet edhe në biografinë e tij në faqen e Gjykatës Themelore në Prizren.
“Nuredin Abazi ka qenë gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prizrenit dega në Suharekë. Abazi ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetin e Prishtinës në vitin 1982, kurse provimin e jurispodencës e kreu në vitin 2004. Punën si gjyqtar e filloi në vitin 2001 në Gjykatën Komunale për kundërvajtje në Suharekë. Nga 1 (një) Janari i vitit 2013 ka mbajtur pozitën e gjyqtarit mbikqyrëse në Gjykatën Themelore në Prizrenit dega në Suharekë, deri në fund të vitit 2020, kurse detyrën e gjyqtari e ka ushtruar deri në ditën e pensionimit më 4 janar 2022”, thuhet në këtë biografi.
Një përmbledhje për rëndësinë e këtij dëshmitari në gjykim e lexoi prokurori James Pache.
“Dëshmitari W03865 ka qenë anëtar i batalionit të UÇK-së në Budakovë dhe më pas ka qenë këshilltar ligjor në zonën Operative të Pashtrikut. Në deklaratat e mëparshme, 03865 ka dhënë informata për strukturën dhe aktivitetet e UÇK-së në Budakovë dhe të Pashtrikut në Prizren. Dëshmitari 03865 jep informacion gjithashtu lidhur me rolin dhe autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtarëve të tij”, tha prokurori, raporton Nacionale.
Megjithatë, për këtë përmbledhje pati kundërshtime vet Abazi.
“Nuk e kam përmendur asnjëherë fjalën burgosje”,tha ai.
Prokurori e akuzoi dëshmitarin për ndryshimin e disa deklaratave. Megjithatë, këtë e mohoi Abazi.
“Nuk po e ndryshojë. E kemi bisedu edhe para një javë. Unë gjithmonë kam aludu në shtabin e batalionit. Batalioni ka pas shtab edhe unë kam thënë që iu kam propozuar këtyre dy emrave ( Naim Kadolli dhe Agim Zyba) që u përmenden më herët që të lirohen. Ata pastaj, me kë kanë bisedu nuk e di”, tha dëshmitari.
I pyetur për angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Abazi tha se inkuadrimi i tij ka qenë vullnetar.
“Ka qenë vullnetare, nuk ka mujt askush askënd me detyru me shku ushtar, vetëm ai që e ka ndi veten që ka nevojë me i dalë zot vendit është kyç”,tha dëshmitari Abazi.
Ai u pyet edhe për një organogram të cilin e prezantoi Prokuroria e Specializuar.
“S’ka funksionu ajo ashtu, kontaktet në mes të personave të caktuara kanë qenë shumë të vështirësuara. Komunikimi në mes zonës dhe brigadave ka qenë mjaft i vështirë. Ato kanë qenë mirë në letër, por nuk ka funksionuar, ndoshta ka qenë fare e pamundur”, tha dëshmitari.
Dëshmia e Abazit do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.