Shtetet e Bashkuara kanë shprehur zhgënjimin për propozimin e Serbisë për të emëruar dy individë nën sanksionet e ShBA-së në poste kyçe brenda qeverisë së saj të re.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në një përgjigje të dhënë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka shprehur shqetësimin në lidhje me nominimet e Aleksandër Vulin për rolin e zëvendëskryeministrit dhe Nenad Popoviq për ministër në qeverinë e ardhshme serbe.
“Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozuar për poste në qeverinë e re”, tha zëdhënësi i DASh-it.
Zëdhënësi përsëriti statusin e njohur të Aleksandar Vulin, i cili mbetet nën sanksionet e SHBA-së për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në aktivitete korruptive dhe destabilizuese.
“Pozicioni ynë ndaj zotit Vulin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e SHBA”, shtoi ai më tej.
Vulin, një figurë tejet e njohur në politikën serbe, ka qenë në listën Thesarit të ShBA-së për individët e sanksionuar që nga korriku i vitit 2023.
Këto sanksione u vendosën për ato që autoritetet amerikane i përshkruan si “akte korruptive dhe destabilizuese” të dëmshme për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, veprimet e Vulin kanë lehtësuar përhapjen e ndikimit rus në Serbi dhe në rajonin më të gjerë.
“Sanksionimi i Aleksandër Vulin tregon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të kërkuar llogari nga ata që përfshihen në aktivitete korruptive që avancojnë axhendat e tyre politike dhe interesat personale në dëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ato marrëveshje korruptive lehtësojnë përhapjen të aktiviteteve dashakeqe ruse në Serbi dhe rajon”, thuhej në deklaratën e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja të Departamentit të Thesarit të SHBA-së (OFAC) kur u vendosën sanksionet në korrik 2023.