Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MCC) lansuan programin Kompaktin MCC-Kosovë, i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve moderne të energjisë së pastër për të përmirësuar besueshmërinë e energjisë elektrike në Kosovë, njofton Qeveria e Kosovës përmes një kumtese.
Aty thuhet se përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për një tranzicion drejt një të ardhme me energji më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe të përballueshme mbështeten nga Kompakti MCC-Kosovë. Kompakti inkurajon gjithashtu pjesëmarrjen më të barabartë të grave në sektorin energjetik të vendit teksa zbatohet përgjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Rreth 2 milionë njerëz pritet të përfitojnë nga granti i MCC.
“Programi Kompakti i Kosovës është investimi më i madh në vendin tonë në sektorin energjetik. Kontributi i konsiderueshëm i Qeverisë prej 34.7 milionë dollarësh shërben si një dëshmi për angazhimin e Qeverisë sonë si ndaj këtij programi, ashtu edhe ndaj transformimit të sektorit tonë të energjisë. Ne ndajmë me MCC vlerat e saj thelbësore: një qasje e orientuar drejt rezultateve me transparencë, llogaridhënie dhe me pronësinë e vendit në qendër. Kjo është ajo që shpjegon bashkëpunimin tonë të shkëlqyer që nga fillimi i mandatit tonë”, tha kryeministri Kurti.
Kompakti MCC-Kosovë synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë, duke hedhur themelet për burime të besueshme, të ripërtëritshme të energjisë që do të integrohen në rrjetin e Kosovës, dhe duke reduktuar nevojën për energji të prodhuar nga thëngjilli si dhe importet e kushtueshme të energjisë.
“Kompakti do të shërbejë si gur themeli i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik”, tha zëvendëspresindeti i MCC-së për Departamentin e Operacioneve Kompakt, Cameron Alford. “MCC është krenare që është partnere me Qeverinë e Kosovës për të filluar zyrtarisht fazën e zbatimit të kompaktit për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, më të ndritshme dhe më të barabartë energjetike për të gjithë kosovarët”, tha ai.
Kompakti prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.7 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovës, me një total prej 236.7 milionë dollarësh, i përgjigjet kufizimit të furnizimit jo të besueshëm me energji elektrike në Kosovë, është në përputhje me prioritetet kombëtare të Qeverisë për zhvillim dhe energji dhe synon të ulë varfërinë dhe të rris qëndrueshmërinë ekonomike në Kosovë.
Programi Kompakt është investimi më i madh energjetik në vend në dekadat e fundit. Deri në fund të vitit 2027, parashikohet që Kosova të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori.
Sot, në një ngjarje ceremoniale në kryeqytetin e Kosovës, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Zëvendëspresidenti i Operacioneve Kompakt në Korporatën Amerikane të Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) Cameron Alford, nënshkruan marrëveshjen e hyrjes në fuqi.