Bashkimi Evropian tha se mbetet në qëndrimin e shprehur më herët se në Kosovë mbështet vetëm një strukturë të vetme institucionale dhe administrative, sipas kornizës ligjore të Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, blloku u shpreh se çështja e institucioneve që mbështeten nga Serbia duhet të zgjidhen përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kështu tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në pyetjen se cili është qëndrimi i BE-së lidhur me strukturat e Serbisë në territorin e Kosovës.
“Të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut janë plotësisht të harmonizuara me parimin e një strukturës së vetme institucionale dhe administrative, dhe ato ndjekin kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës, siç konfirmohet nga konkluzionet e Këshillit Evropian”, tha Stano në përgjigjen dërguar REL-it.
Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill, kur u diskutua për çështjen e dinarit serb. Gjatë takimit, pala serbe ka kërkuar që të gjitha institucionet serbe, që Kosova i konsideron ilegale, të vazhdojnë të financohen nga Beogradi deri në kohën kur të krijohet Asociacioni.
Sipas sqarimit të Stanos, statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në kuadër të dialogut, përkatësisht përmes themelimit të Asociacionit.
Ai i bëri thirrje Kosovës që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit pa vonesa në përputhje me draft-statutin e propozuar nga BE-ja vitin e kaluar.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.
Gjithashtu BE ka kërkuar nga të dyja palët që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm në terren që nuk kontribuon në krijimin e një mjedisi të favorshëm për bisedime për normalizimin e marrëdhënieve dhe që Kosova dhe Serbia të angazhohen për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura në dialogun që ndërmjetëson blloku.
Në takimin e fundit në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel, palët morën nga ndërmjetësi i dialogut Miroslav Lajçak, një propozim kompromisi për mundësimin e pagesave nga Serbia për përfituesit në territorin e Kosovës dhe pritet që deri ne takimin e radhës, palët të shprehen për atë propozim.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit deklaroi se Beogradi synon të vazhdojë financimin e të gjitha strukturave paralele në Kosovë, pa treguar se cilat janë ato.
Ai tha se propozimi i Lajçakut synon që të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket çështjes së ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë.
“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi pas takimit në Bruksel.
Ai shtoi se kjo ide e Serbisë nuk gjeti mirëkuptimin as të Kosovës, e as të ndërmjetësit të dialogut, Mirosllav Lajçak.
Në anën tjetër, në BE vazhdojnë të bëjnë dallimin mes “strukturave të Serbisë” dhe strukturave “të mbështetura nga Serbia”, duke përsëritur se në Kosovë duhet të ketë vetëm një strukturë unike institucionale. Por, në të njëjtën kohë duhet mundësuar financimin e strukturave që deri me tash kanë pasur mbështetje financiare nga Serbia. Nga Brukseli vetëm kërkohet që kjo të sigurohet përmes një zgjidhje afatshkurtër në kuadër të dialogut për të tejkaluar pengesat që janë paraqitur pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që lejon vetëm monedhën euro të përdoret për kryerjen e pagesave.