Liderët e Gjermanisë dhe Francës – dy shtetet hartuese të planit që çoi në Marrëveshjen e Ohrit – në dhjetëditëshin e fundit të prillit telefonuan kryeministrin e Kosovës për t’i kërkuar zbatimin e kësaj marrëveshje në tërësi dhe veçanërisht të ndërmarrë hapa konkretë dhe të shpejtë në drejtim të themelimit të Asociacionit. Kjo kërkesë u parashtrua në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në maj ku pritet t’i jepet epilogu kërkesës së Kosovës për anëtarësim.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dje ka telefonuar kryeministrin Albin Kurti për t’i shpalosur qëndrimin e njëjtë si të Francës rreth zbatimit të pikës së Asociacionit para votimit të majit në Komitet të Ministrave.
Në fillim të bisedës, Scholz i ka shprehur mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve europiane më pas kishte përgëzuar për vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit dhe në fund, duke përmendur Këshillin e Europës, i ka kërkuar hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kancelari theksoi mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin europian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës”.
Kancelari Federal dhe Kryeministri i Kosovës ranë dakord të vazhdojnë shkëmbimin e tyre të hapur dhe të orientuar drejt rezultateve dhe të mbesin në kontakt, tha kancelaria gjermane në njoftimin për bisedën mes Kurtit dhe Scholz.
Thuajse të njëjtën komunikatë kishte shkruar edhe Pallati Elysee për bisedën e 23 prillit mes presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrit Kurti.
Po ashtu edhe Macron i kishte thënë Kurtit se Franca ka mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe synimet e saj për t’u integruar në Bashkimin Europian.
“Presidenti i Republikës [së Francës] përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, kishte thënë Elysee.
Për dallim nga Scholz, Macron kishte edhe një kërkesë për Kurtin për minoritetin serb të Kosovës.
“Ai [Macron] kujtoi se mbeti i domosdoshëm organizimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve të reja, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”.
Por, paraprakisht Macron kishte shprehur keqardhje për dështimin e votimit për revokimin e disa kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.
Njoftimet e Kurtit në X rreth bisedave me liderët europianë dalluan pak.
Kurti tha se presidentin Macron e kishte falënderuar mbështetjen e palëkundur të Francës, por tha se i kishte shprehur besimin atij se Kosova do të përkrahej në Këshill të Europës pa kushte të mëtejme. Ndërsa për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Kurti, në telefonatën me Macron, tha se kishte insistuar që ajo të zbatohej në tërësi – një qëndrim i Kurtit sa herë që i kërkohej që pika për Asociacionin të “mbivendosej”.
Megjithatë kur kërkesa iu shpeshtua, Kurti e dha zotimin për kancelarin Scholz se do ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit.
“Në një bisedë telefonike me Kancelarin Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkunudër të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën që Gjermania do të mbështesë kërkesën tonë në KiE në linjë me rekomandimet e Asamblesë së Përgjithshme të KiE. Unë gjithashtu rikonfirmova zotimet tona për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike”.
Kurti kishte zhvilluar një takim edhe me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani.
SHBA nuk mund ta ndihmojë direkt me votë Kosovën në votimin e ministrave të Jashtëm të KiE, por qëndron në të njëjtën linjë me Gjermaninë dhe Francën rreth Asociacionit.
“SHBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Për të shkuar përpara, ne duhet të zbatojmë zotimet e dialogut të lehtësuar nga BE, përfshirë progresin urgjent në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojitur me kryeministrin kosovar Albin Kurti sot”, kishte shkruar O’Brien në X.