Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me dhënien e fjalëve përfundimtare ka përfunduar të hënën gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, në rastin ku ai po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.
Në këtë seancë, i akuzuari deklaroi se nuk kishte pasur asnjëherë më herët probleme me tani të ndjerin, kurse prokurori special Burim Çerkini tha se Sekiraqa ishte udhëheqës i grupit që urdhëroi vrasjen, andaj është penalisht përgjegjës.
Fjalët përfundimtare i dorëzuan me shkrim prokurori special Burim Çerkini, i dëmtuari Shefqet Riza dhe mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi.
Prokurori Çerkini, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare tha se gjatë administrimit të provave është vërtetuar se Sekiraqa ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke shtuar ndër të tjera që i akuzuari ishte udhëheqës i grupit që urdhëroi vrasjen e Rizës.
“Enver Sekirqa ishte udhëheqës i grupit që kishte urdhëruar vrasjen e të ndjerit Triumf Riza”, tha prokurori Çerkini.
Në fund, prokurori Çerkini deklaroi se gjykata duhet t’ua falë besimin provave të prezantuara, duke shtuar se nuk ekziston asnjë rrethanë që përjashton përgjegjësinë penale të të akuzuarit Sekiraqa dhe se ai është penalisht përgjegjës.
Prokurori i propozoi trupit gjykues që të akuzuarin Sekiraqa ta shpall fajtor dhe se me rastin e matjes së dënimit të marrë parasysh si rrethanë rënduese të kaluarën kriminale të të akuzuarit.
Ndërsa, i dëmtuari Riza nuk ishte në gjendje që ta elaboronte fjalën përfundimtare, për shkak se sipas tij kishte ngarkesë.
I dëmtuari shtoi se qëndron prapa çfarëdo të drejte që i takon me ligj dhe se pajtohet me fjalën përfundimtare të dhënë nga prokurori Çerkini.
Kurse, avokatja Kelmendi gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare kërkoi drejtësi nga trupi gjykues, duke kërkuar aktgjykim lirues në këtë çështje dhe refuzim të aktakuzës.
Sipas Kelmendit, nuk ka asnjë provë që i akuzuari Sekiraqa ka nxitur vrasjen e tani të ndjerit Riza.
“Nuk ka asnjë provë të vetme që Enver Sekiraqa ka nxitur vrasjen e të ndjerit Triumf Riza”, tha avokatja Kelmendi.
Ndër të tjera, avokatja tha se i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha nuk ishte pjesë e grupit të të mbrojturit të saj dhe se ai kishte deklaruar në këtë çështje se Sekiraqa nuk e kishte nxitur atë që ta kryente vrasjen.
Avokatja Kelmendi po ashtu shtoi se provat e administruara vërtetuan se nuk ka ekzistuar motivi i të akuzuarit Sekiraqa për të vrarë tani të ndjerin dhe se veprimet inkriminuese të përshkruara në aktakuzë nuk formësojnë veprën penale.
Paraprakisht, i akuzuari Sekiraqa deklaroi se qëndron pranë deklarimeve të dhëna më herët në këtë shqyrtim gjyqësor e më specifikisht në deklarimet që i kishte dhënë në vitin 2015, para trupit gjykues së EULEX-it.
Sekiraqa tha se ishte i gatshëm që të përgjigjet në pyetjet e prokurori dhe trupit gjykues nëse kanë pyetje.
Por, prokurori Çerkini tha se nuk ka pyetje për të akuzuarin Sekiraqa, ndërsa në pyetjet e trupit gjykues, i akuzuari tha se nuk kishte pasur asnjëherë probleme më herët me Rizën para rastit “Swiss Casinos”.
Ndër të tjera, Sekiraqa deklaroi se nuk mund ta mohonte se tani i ndjeri Riza e kishte shpëtuar nga plumbat në rastin e “Swiss Casinos”, duke shtuar se Arben Selmanaj i kishte rënë në kokë me revole.
“Arben Selmanaj m’ka ra mu me revole në kokë… këtu mrapa, mandej unë jam kanë pa vetëdije edhe çka u bo aty nuk e di s’muj me fol tash veç kur e kam pa veten në spital, prej plumave kam thanë ma ka pshtu Triumfi jetën, m’ka ngreh mrapa shankit”, tha Sekiraqa.
Sekiraqa deklaroi se nuk i kishte thënë dëshmitarit Gjon Kqira që e kishte rrahur tani i ndjeri Triumf Riza kur ai kishte shkuar që ta vizitonte.
Sipas tij, dëshmitarin Kqira e kishte dërguar Arben Selmanaj tek ai për t’u pajtuar, duke shtuar se ai i kishte thënë se nuk kishte punë me ta dhe se ia linte drejtësisë.
“Unë e kam mshel atë rast në atë moment që kam thanë ia la drejtësisë, .. s’ka pas punë Enveri me ta”, tha Sekiraqa.
Po ashtu, i akuzuari tha se në momentin se nuk ke punë me dikë, i bie që ia ke falë dhe që ishe mbyllur ajo çështje. Në të kundërtën, thekson se do kishte thënë se do ia kthente dhe nuk do kishte besë, e që këto Sekiraqa thotë se nuk i ka thënë.
Ndryshe, fillim të seancës prokurori Çerkini tha se qëndron prapa propozimit të 29 shtatorit 2023 për administrim të provave materiale, kurse avokatja Kelmendi tha se mbetet pranë kundërshtimeve të bëra lidhur me këto prova materiale.
Në fund, kjo çështje penale u shpall e përfunduar dhe në seancën e radhës pritet të shpallet aktgjykimi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim, raporton betimiperdrejtesi.