Hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ky ishte mesazhi i prerë që Kancelari Federal i Gjermanisë, Olaf Scholz, ia kumtoi Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas komunikatës për media të lëshuar nga kancelaria gjermane.
“Olaf Scholz nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë nga autoritetet e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatën për media.
Për telefonatën me Scholz, Kurti u shpreh përmes një komunikate për media veç që i ka kërkuar votën gjermane “pa parakushte ose kushte shtesë” rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Komunikata e plotë e ZKM-së:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.
Pas votimit të suksesshëm këtë muaj nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) e cila me 131 vota PËR kërkoi nga Komiteti i Ministrave që të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të Këshillit të Evropës muajin e ardhshëm, Kryeministri Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.
Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integrimi evropian i Kosovës, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin temat kryesore të bisedës.
Kryeministri Kurti e njoftoi kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit.
Me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë, theksoi kryeministri gjatë diskutimit mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, teksa kërkoi nga kancelari mbështetjen e Gjermanisë deri në anëtarësim e plotë të Kosovës.
Rikujtojmë që Këshilli i Evropës, mbi bazën e raportit të raportueses, Dora Bakoyannis, i cili brenda kishte edhe rekomandimet e Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, u votua me 82% të votave nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Opinioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës kërkon nga Komiteti i Ministrave që pa parakushte e kushte shtesë të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të saj e që njëherësh është shteti i vetëm demokratik evropian që ende nuk është pjesë e kësaj organizate të rëndësishme.
Pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës forcon të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë pasi ju garanton qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.