Rama thotë se mbrëmë punonjës të “Pastrimi”, kanë sulmuar fizikisht punonjësit e ri në Dardani

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se mbrëmë ekipet e kontraktuara për mbledhje të mbeturinave janë kërcënuar nga disa punonjës të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” në dy lokacione të lagjes Dardania.

Në rastin e parë, ai ka thënë se dy punonjës të kontraktuar janë sulmuar fizikisht, ndërsa në rastin e dytë, janë ndaluar nga disa punonjës të kompanisë ‘Pastrimi’ dhe iu janë kërkuar letërnjoftimet dhe të dhëna tjera me qëllim, sipas tij, të frikësimit.

“Organet e Policisë së Kosovës janë informuar dhe menjëherë kanë reaguar në vendin e ngjarjes. Për këtë veprim të menjëhershëm falënderoj Policinë e Kosovës”, ka shkruar Rama.

Postimi i plotë i Ramës:

Sabotimi politik i kthyer në dhunë

Mbrëmë ekipet e reja të kontraktuara për mbledhje të mbeturinave në Kryeqytet janë kërcënuar e sulmuar nga disa punonjës të Kompanisë Rajonale ‘Pastrimi’ në dy lokacione të lagjes Dardania.

Në rastin e parë dy punonjës të kontraktuar janë sulmuar fizikisht, ndërsa në të dytin punonjës tjerë, po ashtu të kontraktuar, janë ndalur nga disa punonjës të Kompanisë Pastrimi dhe iu janë kërkuar letërnjoftimet dhe të dhëna tjera me qëllim të frikësimit.

Organet e Policisë së Kosovës janë informuar dhe menjëherë kanë reaguar në vendin e ngjarjes. Për këtë veprim të menjëhershëm falënderoj Policinë e Kosovës.

Për më shumë se një vit sabotimi të motivuar politikisht nga menaxhmenti i Kompanisë Pastrimi, Kryeqyteti jonë ka qenë në llumin e mbeturinave. Tani që zgjodhëm problemin, të njëjtit eksponentë eskaluan nga sabotimi në dhunë.

Dua të sigurojë qytetarët se ne nuk do të ndalemi dhe do ta bëjmë Prishtinën tonë të pastër e të gjelbër.