Dje la qelinë si përfitues i amnistisë penale por Ardian Isufi është kthyer te zakoni i vjetër pa kaluar ende 24 orë jashtë hekurave.
Menjëherë pasi ka lënë qelinë e burgut të Drenovës, ka kryer një vjedhje në Korçë.
Sipas informacioneve nga policia ka vjedhur një mjet Ford i cili ka qenë i ndezur në parkim afër lagjes 18 të qytetit.
Pas disa orësh ndjekje i riu nga Pogradeci është arrestuar nga policia.
Njoftimi i policisë
Falë bashkëpunimit mes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapet në qytetin e Tiranës dhe vihet në pranga 36-vjeçari, i cili mbrëmjen e djeshme vodhi në Korçë një automjet.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 18, Korçë, ku u vodh një automjet, falë shkëmbimit të informacioneve mes DVP Korçë e strukturave të DVP Tiranë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, në qytetin e Tiranës.
Si rezultat u ndalua shtetasi në kërkim A. I., 36 vjeç, banues në Pogradec, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes së pronës (automjeteve).
Ky shtetas mbrëmjen e datës 24.04.2024, dyshohet se ka vjedhur në Korçë, automjetin tip “Ford”, në pronësi të një 30-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.