Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, ka folur për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe për rezultatet e zgjedhjeve.
Ajdari ka thënë se fitorja e Ali Ahmetit përballë partisë së Arben Taravarit ishte e pritshme, duke qenë se Bujar Osmani ka qenë kandidati më i mirë.
“ Pritje kjo fitore. Sepse realisht, kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani, ka qenë kandidati më i mirë, nga të gjitha palët. Është një kryediplomat i dëshmuar dhe që ka treguar sukses edhe si ministër i jashtëm”, ka thënë ajo.
E pyetur se kë do ta përkrahin në garën e mëtejshme, Ajdari ka thënë se një gjë e tillë do të vendoset nga liderët e Frontit Evropian, ndërkohë që ka theksuar se kandidatja që ka dalë e para ka një qasje nacionaliste kundër shqiptarëve.
“Besoj që kjo do të dihet ditët në vijim, dy tre ditët në vijim. Do të vendosin liderët e Frontit Evropian, se cilin kandidat do ta përkrahin. Është shqetësues fitorja e Gordana Silanovska. Një kandidate dhe një parti politike, që në një nivel shqetësues e ka rritur retorikën anti-shqiptare nacionaliste”, është shprehur ajo.
Ajdari ka folur edhe për përfshirjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në fushatën zgjedhore atje dhe kathënë se edhe vetë Kurti e di që s’është në rregull një gjë e tillë.
“Besoj se po. Megjithatë ne themi, ju kemi dalë hakut, sepse lideri ynë Ali Ahmeti e ka pasur ofertën për ta, që të bashkohen dhe të dalin me një kandidat. Megjithatë le të ngelet në përgjegjësinë e atyre. Por sigurisht nëse do të kishte një kandidat, do të shkonte në raundin e dytë. Ndërhyrjet e këtilla s’janë në rregull. Dhe ata edhe vetë e dinë se nuk është në rregull. Vullneti i lirë i qytetarëve e dëshmoi. Bujar Osmani doli fitues. Realiteti dhe konteksti politik në Maqedoni është i ndryshëm dhe ndërhyrjet e tilla nuk janë në rregull, s’janë fer. Qytetarët e ndjenë. S’ka nevojë që Lëvizja Vetëvendosje të ndikojë në zgjedhje”, ka thënë ajo në T7.