Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se duhet të ketë akt paraprak të Qeverisë, që të përcillet në Gjykatën Kushtetuese draft i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky, sipas saj, duhet të miratohet edhe nëse ekzekutivi nuk pajtohet me të.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kryetarja e shtetit është pyetur se çka do të bëjë në rast se Qeveria nuk e dërgon në Kushtetuese draftin.
Cila do të jetë hapësira e presidentes në këtë rast?
Osmani është shprehur se pa u miratuar fillimisht dokumenti nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt nga ajo, nuk mund ta dërgojë draftin në Kushtetuese:
“Në vitin 2017-2018 dhe në vitin 2021, ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngritur çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese në qoftë se një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113”.
Tutje, presidentja e shprehu qartë se pa një akt paraprak të Qeverisë, nuk mund të përcillet tutje.
“Pra, në të kaluarën ka ekzistuar kjo e drejtë. Siç e dini, në vitin 2015 është shfrytëzuar, në kohën 2008-2010 është shfrytëzuar disa herë. Mirëpo që nga viti 2018 e tutje, nëpërmjet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, është kufizuar kjo e drejtë e Presidentes. Pra, patjetër duhet të ketë akt paraprak të qeverisë, i cili jo domosdoshmërisht duhet të pajtohet me përmbajtjen e statutit, por të gjendet një mënyrë që të përcillet tutje.” – u shpreh ajo./Express