Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore, njofton se ka arritur të sigurojë dëshmi se i dyshuari mashkull kosovar (ish zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj, tani me pozitë tjetër) derisa ishte zyrtar i gjendjes civile deri në vitin 2019, si ofiqar, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sinjali mëson se i dyshuari është Besim Xhakli, i cili sipas policisë, “dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke regjistruar një shtetas të huaj (turk) në sistemin elektronik të gjendjes civile në komunën e Ferizajt, teksa i njëjti nuk i kishte plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë”.
Xhakli tash mban pozitën e inspektorit komunal, ndërsa veprën dyshohet se e ka kryer derisa ishte zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj.
Policia tutje njofton se i dyshuari Xhakli ia ka mundësuar shtetasit turk që të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe pastaj edhe me patentë shofer.
“Me datë 23.04.2024, është siguruar prezenca e të dyshuarit të lartcekur për intervistë në prezencë të avokatit mbrojtës, ku pas intervistës me aktvendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.Ndërsa personi i dyshuar mashkull turk që dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” tani është i ekstraduar në Turqi”, thuhet në njoftim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.