Politologu boshnjak, Jasmin Mujanoviq, tha se regjimi në Beograd dëshiron të kërcënojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës, prandaj këto tri vende janë “shtylla kurrizore strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
“Që nga rënia e Slobodan Milosheviqit deri në ardhjen e Aleksandar Vuçiqit, politika e Serbisë së madhe apo e ‘botës serbe’ mbeti e njëjtë. Presidenti Vuçiq është i njëjti radikal siç ishte në vitet 1990, kur ishte anëtari më radikal i Partisë Radikale Serbe”, tha Mujanoviq në forumin e Cetinjes “Fuqia e mprehtë dhe e butë në Ballkanin Perëndimor: Demokraci, arsim, siguri”.
Sipas tij, nuk është një konflikt mes serbëve dhe shqiptarëve, serbëve dhe boshnjakëve dhe serbëve e malazezëve, por një konflikt mes nacionalistëve serbë dhe “pothuajse të gjitha” lëvizjeve dhe popujve të tjerë politikë në Ballkanin Perëndimor.
Siç shkruajnë mediat serbe, Mujanoviq ka vlerësuar se lufta për demokraci dhe kundër autokracisë në Serbi është shumë e rëndësishme për rajonin.
Politikani slloven Roman Jakiq vlerësoi se ndikimi rus po “trondit Evropën, nga lindja në perëndim”, prandaj Evropa duhet ta kundërshtojë së bashku, gjithashtu nga lindja dhe perëndimi.
“Agresioni i Rusisë nuk është vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër gjithë Perëndimit”, tha Jakiq, transmeton Telegrafi.
Gazetarja nga Sarajeva, Xhenana Karup Drushko, vlerësoi se sot fenomeni i “post-fashizmit” mund të vërehet globalisht, pjesë e të cilit është edhe populizmi i djathtë.
“Ndër të tjera, është pasojë e faktit se Perëndimi në Ballkan donte t’i jepte fund historisë me çdo kusht, me çmimin e stabilizimit dhe mbi parimet e drejtësisë, të së vërtetës, shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut”, tha ajo.
Ajo vlerësoi se Serbia është një “partner ideal” për Rusinë.
“Rusia ka një derë të hapur në Serbi për të bërë çfarë të dojë. Rusia vepron institucionalisht në Serbi. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë hapi një zyrë në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, ka një qendër humanitare ruse në Serbi, të cilën ne e dimë se çfarë bën, e kështu me radhë”, tha Xhenana Karup Drushko.
Profesori universitar nga Sarajeva Rusmir Mahmutçehajiq vlerësoi se ideologjia gjenocidale mbijetoi në rajon dhe “mund të dëgjohet se si jeton çdo ditë”.
Analisti politik Lubomir Filipoviq vlerësoi sot se në Mal të Zi është në veprim radikalizimi fetar, kur bëhet fjalë për Kishën Ortodokse Serbe.
Sociologu Senadin Laviq vlerësoi se ideologjia e “botës serbe” është në fakt një “ndërmarrje joracionale, imorale dhe kriminale e së keqes njerëzore”.
“E keqja është lëshuar në dritën e ditës. Kulmi i nacionalizmit serbomadh. ‘Thika, telat, Srebrenica’, si dhe pretendimi se ‘nuk mund të jetosh me myslimanët’. Këto janë slogane fashiste”, tha Laviq.