Abdixhiku: Kurti nuk është kryeministër që kur qohet në mëngjes i përvjelë mëngët dhe del punon

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku thotë se “Kurti nuk është kryeministër që kur qohet në mëngjes i përvjelë mëngët dhe del punon”.

Sipas tij, Kurti është i investuar vetëm në çështjen me Serbinë.

“Përveç pasluftës sa kam memorie unë, nuk është fol kaq shumë për Serbinë sa folet sot. Gjithçka është vetëm për Serbinë. Një qeveri e investuar vetëm në një çështje të vetme duke lënë anash çështjet bazike të qytetarëve. Duke lënë anash nevojat elementare të njerëzve tanë, prej mirëqenies deri te ekonomia. Ne e mundim Serbinë kur jemi ekonomikisht të fortë jo kur kemi deficit tregtar 5 miliardë euro. Ne e mundim Serbinë kur kemi zhvillim, kur kemi investime. Kur ecim para Serbisë. Dhe fundja mund të merresh edhe me Serbinë edhe me ekonomi, shëndetësi, arsim. Ka shumë punë që mund të bësh”.

Tutje, Abdixhiku në Rubikon thekson se Kurti ka projektuar sistem populist.

“Por të merresh me një temë duke i mbuluar të gjitha dështimet tjera, unë besoj që është popullizëm. E ne jemi pjesë e një sistemi popullist që qëllim të vetëm e ka mirëmbajtjen e vetes. Diskursi qeverisës është si të elektrizohen masat e veta në baza militante që të mirëmbajmë vetën aq sa ka nevojë. Por nuk po i ka sukses kjo”.

“Kurti nuk është në gjendje të flasë për të ardhmen, për një projekt të vetëm. Nuk është kryeministër që kur qohet në mëngjes i përvjelë mëngët dhe thotë sot do ta rregulloj QKUK-në. Siç unë kam paraparë në “Rrugën e Re”. Nuk është kryeministër që thotë unë do ti përfundojë rrugët e Kosovës ose unë po shkoj po ndërtoj një central me gaz. Nuk është kryeministër që bën projekte. Vendet e rajonit po ecin me hapa të jashtëzakonshëm”.