Në Serbi po qëndron për një vizitë Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel.
Në kuadër të kësaj vizite, ai ka takuar drejtorin e Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Sipas njoftimit për media nga kjo zyrë, thuhet se temë e diskutimit ka qenë edhe Kosova.
Petkoviqi i ka thënë Reiffenstuelit se qeveria Kurti po ushtron “dhunë fizike dhe institucionale” ndaj serbëve “duke e bërë jetën në Kosovë të papërballueshme për ta”.
Ai tha se “kjo po çon në eksod të serbëve” nga Kosova, ndërsa përmendi edhe çështjen e dinarit të cilën e konsideroi si një prej çështjeve që po kontribuon në këtë drejtim.
“Të gjitha këto po çojnë në një katastrofë humanitare për një komb në zemër të Evropës, para syve të komunitetit ndërkombëtar, i cili nuk po tenton të parandalojë këtë katastrofë përmes veprimeve konkrete”, tha Petkoviqi.
Sipas komunikatës, dyshja kanë biseduar edhe për çështjen e referendumit në veri për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave veriore.
Petkoviqi këtë votim e quajti “farsë” dhe theksoi se ai proces “tregoi qartë se Kurti kishte për qëllim ushtrimin e pushtetit në katër komunat” veriore.
Veç këtyre temave, në takim thuhet se u fol edhe për çështjen e mosthemelimit të Asociacionit, për çka Petkoviqi tha se po krijon probleme të reja.
Petkoviqi, që njëherësh është edhe kryenegociator në dialogun me Kosovën në Bruksel, tha se në takimin e radhës në kryeqendrën evropiane, Beogradi do të vazhdojë “të avokojë në ruajtjen e paqes dhe në arritjen e kompromisit në kuadër të dialogut”.