Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se me gabimet e tij, po favorizon Serbinë dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Haradinaj shprehet se qeveria shfrytëzon popullin, dhe nuk vepron në bazë të interesave të qytetarëve.
“Ajo që i ka ndodhur Kosovës është më e keqja që mund t’i ndodhte. Ata që erdhën në pushtet si populist, pra duke e shfrytëzuar popullin, jo duke i shërbyer, gjatë qëndrimit në pushtet vazhduan me këtë logjikë. Çdo agjendë e vu në shërbim të pushtetit, pa e pasur në interes të parë vetë Kosovën. Për fat të keq, Kosova ka bërë hapa mbrapa në të gjitha ato obligime dhe angazhime të marra, veçanërisht me aleatët tonë të sigurisë”.
Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, sulmi dhe veprime të tjera të Serbisë janë pasojë e gabimeve të Kurtit dhe qeverisë që ai drejton. Ndërsa Serbia nga ana tjetër, ndihmohet nga rusët, thotë Haradinaj.
“Serbia e ka doktrinë të vetën interesimin ndaj serbëve të Kosovës sikurse e thonë ata dhe këtë doktrinë e kanë shpërndarë në të gjitha misionet e veta politike, të sigurisë dhe civile. Kanë edhe një hapësirë branda institucioneve të tyre që e shfrytëzojnë edhe rusët. Edhe pse Serbia është palë për këto marrëdhëniet për anëtarësim në BE, prapë Rusia ka akses Brenda Serbisë. Por, Rusia dhe Serbia do ta kishte të pamundur t’i bënte ca veprime, nëse Kosova nuk do të bënte gabimet e veta. Të them të drejtën, ndihmën më të madhe Vuçiçit dhe palëve që dëshirojnë të na rrezikojnë, ua jep pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe qeveria e tij. Me gabimet që ben, u krijon atyre argumente dhe hapësirë, në raste të caktuara deri në mirëkuptim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë”.
Madje, sipas Haradinaj, presidentit serb i leverdis që në krye të qeverisë së Kosovës të jetë Kurti.
“Pra, Vuçiq është mëse i interesuar për të mbajtur Kurtin në pushtet, pasi duke pasur Kurtin në Prishtinë, atij i arsyetohen veprimet, qofshin ato më të rrezikshmet. Ju e shihni që ata nuk morën një ndëshkim të duhur për sulmin që ndodhi në Banjskë. Serbia nuk mori asnjë sanksion apo ndalim. Shihet se sjellja jonë i ofron hapësirë manovruese Serbisë dhe Vuçiçit deri në mundësinë për të na rrezikuar prapë. Agjenda e Kurtit është të krijojë një hendek mes nesh dhe aleatëve të sigurisë. Por, të qëndruarit në pushtet mund të bëhet edhe në mënyra të tjera. Kurti e ka fokus largimin ose vonesën, që edhe Kosova të bëhet anëtare e NATO-s për shembull”./Top Channel