Në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë për eskalim të agresionit ndaj Kosovës.
Duke folur për situatën në Kosovë, Osmani e përmendi sulmin terrorist në Banjskë, rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe sulmin ndaj gazetarëve.
“Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. Serbia e ka eskaluar agresionin fillimisht me rrëmbimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në muajin shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara.”
Osmani tha se serbët e integruar në institucionet e Kosovës janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit të kryer prej strukturave ilegale serbe, sulmeve në pronat e tyre, shkatërrimin dhe rrezikimin e jetëve të tyre, me vetëm një qëllim.
“Serbia bën përpjekje për të prishur integrimin e serbëve në Kosovë. Serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga Qeverisë e Serbisë”, u shpreh Osmani.