Gjatë ditës së djeshme në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, u mbajt votimi për largimin ose jo të kryetarëve nga pozitat e tyre.
Nëpërmjet këtij procesi, qytetarët e këtyre komunave, në mesin e tyre edhe ata serbë patën mundësi të japin verdiktin për vazhdimin ose jo të mandatit të Erden Atiq, Izmir Zeqirit, Ilir Pecit dhe Lulzim Hetemit.
Rezultati përfundimtar tregon se ky proces nuk ka kaluar, pasi që në të kanë marrë pjesë veç 265 qytetarë, e jo 50+1 përqind e atyre me të drejtë vote siç parashihet me ligj.
Lidhur me votimin e 21 prillit në veri, u fol edhe në emisionin Rubikon të Klan Kosovës.
Opinionisti Ermal Sadiku, tha se pas këtij procesi, se “opsioni më i mirë për të dyja vendet do të ishte shkëmbimi i territoreve”.
“Nuk mendoj që këto idetë ‘ja e larguam grupin atje terrorist në Banjskë dhe tash serbët po integrohen’. Kjo e pamë që kjo s’është e vërtetë. E pamë që ndikimi i qeverisë tonë, i cilësdo qeveri tek serbët lokal është aspak i fuqishëm. Mos të them i pafuqishëm totalisht”, tha ai.
Sadiku theksoi se ndoshta një ide tjetër me investime dhe zhvillim ekonomik do të funksiononte në atë pjesë, por ai theksoi se “kjo strategji nuk ekziston sot në tavolinë”.