Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka deklaruar se presidenti serb, Alexandar Vuçiq ka strehuar, mbrojtur dhe promovuar policët dhe ushtarakët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë.
Vëmendje të madhe në fjalimin e saj rroku historia e Elhame Muçollit, të mbijetuarës së masakrës së Poklekut.
Pjesë nga fjalimi i presidentes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së:
Pesë ditë më parë, shënuam 25-vjetorin e një prej masakrave më të rënda dhe çnjerëzore nga regjimi i Millosheviqit. Elhame Muçolli, që po më shoqëron sot mua në këtë takim, ishte vetëm 14-vjeçare kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. 53 civilë – shumica fëmijë – ishin vrarë pasi ishin tubuar në një dhomë. Teksa policia u largua për t’u rifurnizuar, Elhamja ia doli të kërcente nga dritarja dhe të ikte, ani pse ishte e plagosur nga plumbat. Shkurt pas kësaj, policia u kthye e furnizuar me benzinë duke ua vënë flakën të gjithë 53 civilëve.
Elhamja kurrë nuk ia doli të harronte piskamën shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po bëheshin shkrumb e hi. Dhe sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, policia ua vuri flakën përsëri e përsëri. Fëmijë të vegjël, më të vegjlit 6 dhe 10 muajsh, ishin djegur në përpjekje për t’i shfarosur nga faqja e dheut veç pse ishin shqiptar; sepse i përkisnin etnisë tjetër nga ajo e policisë dhe ushtrisë.
Shkalla e djegjes së trupave ishte aq e rëndë sa anëtarëve të mbijetuar të familjes u mbet pak nga më të dashurit e tyre, sa të mund t’i vendosnin 53 viktimat në një varr të vetëm. Një memorial është ngritur në kujtim të viktimave afër vendit ku ndodhi krejt kjo, por asnjë politikan serb – as edhe një, nuk erdhi për t’u gjunjëzuar para varrit të këtyre fëmijëve të vegjël. Dhe të mendos se masakrat e këtyre përmasave u kthyen në çdo cep të vendit, me fëmijë të vegjël, gra, përfshirë edhe shtatzëna, të vrarë pa mëshirë, për shkak të mendësisë luftënxitëse që është ende gjallë dhe po vazhdon në Beograd.
Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiqit dhe ta lejoni ta shtyjë përpara revizionizmin e tij historik të bazuar në skenarin e Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është në mohim të vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; asnjëherë duke mos kërkuar falje apo duke shfaqur shenja pendimi. Kurrë!
Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat tjera nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviqi dhe ministri ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot i ulur në karrigen e Presidentit, jo vetëm që kërkonin t’i shfarosnin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por donin t’i zhduknin edhe provat dhe të mos kishte dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan pareshtur. Elhamja mbijetoi për t’i treguar botës historinë e familjes dhe kombit të saj. Pavarësisht se humbi nënën, tri motrat, dy vëllezërit dhe shumë kushërinj gjatë kësaj masakre, ajo është kthyer në mishërim të vërtetë të qëndresës dhe forcës dhe në mbrojtëse të palëkundur e së vërtetës dhe luftës për drejtësi.
Teksa ajo është e ulur këtu me mua, duke kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë, Vuçiqi, i ulur atje, ende ofron strehim, mbrojtje, promovim, për njësitë speciale të policisë dhe brigadën e ushtrisë që kreu krimet kundër familjes së Elhamës. Në rastin e TPNJ-së Shainoviq et al, u konfirmua se Detashmenti 86 i njësisë speciale të policisë serbe, ishte i pranishëm në Poklek në ditën e krimit, së bashku me brigadën e 15 të blinduar dhe brigadën e 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. U identifikuan përgjegjësit, përfshirë ish-komandantin e detashmentit 86, Dragan Obradoviq. Megjithatë, këta përgjegjës kurrë nuk u gjykuan. Krejt e kundërta, atyre u dhanë punë dhe nderime të rangut më të lartë.