Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje komunitet joshumicë që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.
Kurti për komunitetet e Kosovës tha se janë vlerë e identitet të vendit.
“Ai nuk është thjesht një shënim statistikor; është deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë.
Në bazë të tij bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore.
Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë.“