Në ora 19:00 janë mbyll qendrat e votimit në katër komunat veriore.
Menjëherë pas mbylljes së tyre ka reaguar e para e shtetit, Vjosa Osmani, e cila tha se “Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj”.
“Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar Osmani.
“Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin”.
Osmani ka kërkuar që masat të hiqen menjëherë.
“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka shkruar Osmani.