Nëntë persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale Mashtrimi dhe veprën penale Hyrja në sistemet kompjuterike”.
Gazeta Insajderi ekskluzivisht merr vesh se të arrestuarit janë Kastriot Bunjaku, Bianca Segashi, Berat Cakaji, Liridon Dervisholli, Armend Dervisholli, Besart Dervisholli, Gëzime Dervisholli dhe Esat Dervisholli.
Tetë ndaj tyre u është masa e paraburgimit prej 1 muaji, përveç Gëzime Dervishollit – të cilës u është shqiptuar arresti shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.
Të nëntë këta dyshohet se kanë krijuar një grup kriminal dhe kanë shfrytëzuar njohuritë e mira në gjuhën gjermane për t’i telefonuar shtetasit e Gjermanisë dhe për t’u marrë shuma të mëdha parash.
Të dyshuarit akuzohen se gjatë vitit të kaluar nga lokacione të ndryshme, kanë krijuar një Qendër të Thirrjeve dhe kanë telefonuar shtetasit gjerman, duke i mashtruar herë duke u sjellur si ‘nënpunës i rremë policor, premtime fitimi, ndërmarrje për mbledhje borxhesh, mashtrim me kartela parapagesash, mashtrim me i-banking përmes internetit, mashtrim për investime, mashtrim pë ri-gjetjen e parave të humbura.
Pas bisedave me ta, sipas dosjes së Prokurorisë, të dyshuarit kanë mashtruar viktimat, duke i bindur që të kenë çasje në kartelat e tyre bankare. Pas marrjes së çasjes, ata dyshohet se kanë transferuar para në xhirollogaritë e tyre, e më së shpeshti me paratë e viktimave kanë blerë kriptovaluta.