Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot nënkryetaren e komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Adjançiq, nënkryetaren e komunës së Zveçanit, Natasa Tomaniq, dhe nënkryetaren e komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, e cila mori pjesë virtualisht.
Në takim, krahas kryeministrit ishte ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe këshilltarja e kryeministrit për Çështje të Komuniteteve, Elizabeth Gowing.
Sipas zyrës së kryeministrit, në takim u bisedua për situatën aktuale në katër komunat në veri të vendit dhe për zhvillimet e fundit në raportet me fqinjin verior, me theks te veprimet e djeshme me rastin e ndalimit të qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare dhe kërcënimet publike nga presidenti i Serbisë.
“Vëmendje e veçantë gjatë takimit iu dha dhe mundësive për intensifikimin e investimeve dhe projekteve infrastrukturore në këto komuna, masave praktike që mund të lehtësojnë punësimin, sikurse masa e punësimit për 2000 banorë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, që është lansuar në shkurt të këtij viti, dhe procesit të regjistrimit të popullsisë. Për këtë të fundit, kryeministri vuri theksin te rëndësia e këtij procesi dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që pjesëmarrja në këtë proces ka edhe në ndarjen e drejtë të buxhetit për komuna dhe planifikimin strategjik të politikave dhe projekteve”, thuhet në komunikatë.
Temë tjetër e bisedës ishte edhe votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve i cili mbahet me 21 prill dhe puna e institucioneve tona rreth organizimit të këtij procesi demokratik, që është inicuar nga nënshkrimet e vetë qytetarëve të këtyre komunave.
Kurti falënderoi nënkryetaret për angazhimin e tyre dhe punën që po bëjnë, dhe ofroi vazhdim të bashkëpunimit në shërbim të kërkesave dhe nevojave të qytetarëve që përfaqësojnë dhe komunave që qeverisin.