‘Marrje në pyetje e maltretim’, i riu nga Gjilani rrëfen për ndalimin mbi 20 orë në kufijtë e Serbisë

Një vizitë njëjavore jashtë vendit te familjarët për festën e Bajramit, përfundoi e hidhur për Burim Kastratit nga Gjilani.

Në mëngjesin e 17 prillit, derisa po kthehej nga Cyrihu i Zvicrës për në Kosovë me autobus dhe pasi arriti në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, Kastrati ishte në mesin e shumë kosovarëve që u ndaluan për orë të tëra nga autoritetet serbe.

“Aty na kanë ndalur, gjatë kontrollit të dokumenteve, [dhe autoritetet serbe] çdo autobusi ia ndanin nga dy pasagjerë dhe një shofer, për t’i mbajtur peng”, tregon Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Pa ndonjë arsye specifike, thotë Kastrati, ai dhe dhjetëra udhëtarë të tjerë – të gjithë kosovarë – u ndaluan për t’u marrë në pyetje nga autoritetet serbe.

“Nga tre herë na kanë marrë në pyetje aty brenda, diku 12 orë e gjysmë kemi qëndruar aty. Nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 6 e gjysmë në mbrëmje”, thotë Kastrati.

Pyetjet, sipas 37-vjeçarit, me aq sa e kuptonte serbishten ai, kishin të bënin me luftën e Kosovës të viteve 1998/1999.

“Prindërit [tuaj] në 99-tën, ku kanë qenë? A kanë qenë në luftë? A ka pasur UÇK [Ushtria Çlirimtare e Kosovës] te ju? A ka veteranë në pjesën ku jetoni ju?” këto ishin disa nga pyetjet që i mban mend Burimi t’i jenë bërë nga zyrtarët serbë.

Sipas Kastratit, në mes të rundeve të pyetjeve, të ndaluarit nuk janë lejuar të lëvizin nga ndërtesa ku po mbaheshin.

“Në korridor kemi qëndruar. Afër 30 veta kemi qenë, ka pasur njerëz të sëmurë që nuk mund të qëndronin. Nuk na kanë lënë të pimë ujë apo të hamë bukë”, tregon ai.

Kastrati thotë se policët që e morën në pyetje nuk u prezantuan, por se, sipas tij, nëpër fletoret e disave, shihej akronimi “BIA”, që është Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Informacionit.

Më 17 prill, sipas autoriteteve në Kosovë, Serbia i ndaloi mbi 1.400 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë.

Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë, përfshirë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Jankoviqit, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

Qeveria e Kosovës këto veprime i cilësoi si hakmarrje e Serbisë ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia i mohoi akuzat, duke thënë se vonesat u shkaktuan nga masat shtesë të sigurisë në kufi, dhe se lëvizja e qytetarëve kosovarë “nuk është kufizuar”.

“Maltretim dhe lodhje”

Ndonëse thotë se nuk e preferon shumë udhëtimin me autobus, një ndryshim planesh në minutë të fundit, bëri që Mentor Berisha të merrte rrugën nga Italia për në Prizren të Kosovës, më 17 prill.

Porsa hyri në Serbi nga kufiri me Kroacinë, autobusin me të cilin po udhëtonte Berisha, e ndaloi policia kufitare serbe.

“I kanë marrë dokumentet, na kanë ndaluar dhe i kanë thënë shoferit të skajohet. Kemi pritur ndoshta gjysmë ore, ose një orë dhe kanë filluar të interesohen shoferët. Ata kanë thënë se është urdhër nga lart”, thotë Berisha.

Ai thotë se, më pas, autoritetet serbe filluan t’i përzgjidhnin njerëz për t’i marrë në pyetje, por Berisha qëndroi në autobus.

“Ka qenë një lloj maltretimi, ka qenë një lodhje e jashtëzakonshme”, thotë Berisha duke përshkruar pritjen pothuajse 12 orëshe në pikën kufitare.

Berisha, 39 vjeç, i tha Radios Evropa e Lirë se vetëm gjatë ndalesës së tij ka parë dhjetëra autobusë në kufi dhe rreth “një mijë njerëz” të ndaluar.

“Fatmirësisht, ishte një sikur lokal i vogël, që ka pasur ujë dhe kafe, por dikur mbaruan edhe ato. Për fëmijë dhe pleq ishte shumë e vështirë”, thotë Bajrami.

Shumë rrugë tokësore që lidhin udhëtarët nga Kosova me vendet evropiane përshkojnë Serbinë.

Linjat dhe oraret e udhëtimit nëpër këto destinacione janë shtuar sidomos pas 1 janarit të vitit 2024, kur kosovarëve iu hoq regjimi i vizave për shumë vende evropiane.

Në lidhje me ndalimin e udhëtarëve kosovarë si dhe pjesëtarëve policorë të Kosovës, pati reagime nga krerët e shtetit si dhe nga ndërkombëtarët.

Në një reagim dhënë Radios Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe tha se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit më 18 prill.