Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, tha se Serbia u hakmor kundër qytetarëve të Kosovës, duke i keqtrajtuar nëpër pikat kufitare veçse deshën ta përdorin territorin serb si tranzit.
Kurti, duke ua zbuluar emrat, tha se ende pesë policë të Kosovës janë duke u mbajtur nga Serbia.
“Serbia ndaloi në kufi përmbi 20 orë qindra qytetarë të vendit tonë, të cilët Serbinë e shfrytëzonin jo si destinim, por si tranzit për t’u kthyer apo për të shkuar në vendet e BE-së. Në mesin e të arrestuarve e të ndaluarve ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga radhët e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Sipas informacioneve që kemi, ai është dërguar në Rashkë. Nga e kaluara e dimë që në rast të dërgimit atje, ata që ndalohen intervistohen nga akterë të ndryshëm të shtetit të Serbisë. Dje në ndalim kanë qenë gjithsej 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, serbë dhe shqiptarë, që janë ndaluar në pikëkalimet kufitare në Merdarë, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Pesë nga ta janë liruar, ndërkaq pesë ndodhën akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Jankoviq. Por aty janë edhe Sinisha Miliq, Zoran Marinkoviq, Boban Simeunoviq dhe Ramiz Ibrahimi”.
Ai tha se veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes për suksesin e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE. Ndërkaq, Kurti tha se keqtrajtimi i qytetarëve të Kosovës është po ashtu akt i rëndë i shkeljes së të drejtave të njeriut, lëvizjes së mirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë.
“Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelë një grumbull marrëveshjes, përfshirë atë të korrikut 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta identiteti mes vendeve të BP dhe marrëveshjen bazike të shkurtit të 2023-ës në Bruksel për normalizim marrëdhënies e për fqinjësi të mirë”.
Kryeministri Kurti tha se keqtrajtimi i qytetarëve të Kosovës “na e risolli kujtimet e hidhura të Serbisë së Millosheviqit, duke në rikujtuar kështu që ajo që ngelet e njëjta ngaqë udhëhiqet nga një ish-vartës i tij”.
Kurti tha se qëllimi i Serbisë me ndalimin e qytetarëve të Kosovës ishte ngritja e tensioneve.
“Për më tepër është menduar edhe si akt me qëllim eskalimin e tensioneve. Kjo sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti, paqja dhe qetësia në rajon e sidomos në Kosovë”.
Ai tha se Serbia është në kërkim të vazhdueshëm të konflikteve herë në Kosovë, herë në Bosnjë e herë në Mal të Zi, e herë në të tri këto shtete bashkë./Express/