Po bëhen gati katër vjet prej kur Kosova nuk ka marrë as edhe një njohje të re, një prej kritikave që i drejtohet më së shpeshi kryediplomatës Donika Gërvalla – Schëarz. Në një konferencë të rrallë për media, ministrja e Punëve të Jashtme u pyet në lidhje me këtë çështje. Pra, pse Kosova s’ka njohje të reja?
Situata sipas Gërvallës, është e ndërlikuar. Fillimisht, ajo foli për pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që s’e njohin pavarësinë e Kosovës, duke thënë se, situata me to është e “koklavitur”:
“Është pak më e ndërlikuar. Kosovën e kanë njohur 117 shtete në botë, ato shtete që kanë qenë në influencën e aleancave me të cilat identifikohet Kosova, këtu dua t’i përjashtoj5 shtetet e BE-së, me të cilat situata është më e koklavitur për shkak të problemeve të brendsme të tyre, që mendojnë se nuk mund t’i zgjidhin në mënyrën eduhur pa njohje me Serbinë.” – u shpreh ajo para gazetarëve.
Duke folur për shtetet tjera jashtë Bashkimit Evropian, Gërvalla foli për “një shpenzim të numrit të këtyre vendeve” dhe duke lënë të kuptohet se ato që kanë pasur gatishmëri, tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.
“Nuk mendoj që do të mbetet kështu deri në fund, luftojmë çdo ditë për njohjen e tyre, aty ka progres në shumë fusha. Sa për shtetet tjera në vende të ndryshme,është shpenzuar pak a shumë ai numër i shteteve që duke qenë pjesë e aleancave tona kanë pasur gatishmëri për të njohur Republikën e Kosovës.” – u shpreh kryediplomatja.
Ajo mes tjerash tha se nuk mund të jap premtime, megjithatë, tha se po bëhen hapa pozitiv drejt kësaj, duke e përmendur si shembull edhe votimin në Këshillin e Evropës.
“Unë nuk them që nuk do të ketë njohje, do të ketë, por nuk mund të jap premtim sepse jemi shumë prejshteteve në një proces pozitiv dhe kemi bërë hapa që do të çojnë në njohje, por nuk mund të them sot ose kur do të jetë. Një pjesë e madhe e shteteve jonjohëse në KiE, nuk e kanë refuzuar anëtarësimin e Kosovës. Nuk ka pasur asnjë shtet përveç Serbisë që ka qenë unik në refuzimin e anëtarësimit të Kosovës.” – tha Donika Gërvalla.
Kush i ka meritat për suksesin në KiE?
Qysh në fillim të kësaj konference për media, Gërvalla foli për votimin e suksesshëm të ditës së djeshme që është një hap para drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Meritat ia la Qeverisë dhe presidencës aktuale.
“Ky sukses ka shumë autorë, do të doja të përmendja sot presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, në mënyrë të veçantë, aktivitetin e jashtëzakonshëm të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.” – tha Gërvalla, pa i përmendur partnerët ndërkombëtar.