Një arsyetim krejtësisht skandaloz ka lëshuar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë në lidhje me bllokimin arbitrar që u ka bërë qindra udhëtarëve kosovarë që po kalonin nëpërmjet Serbisë, duke e mohuar në rend të parë të kenë ndaluar ata.
Sipas një komunikate për media, siç e citoi KoSSeV, MUP-i i Serbisë thotë se veç kanë kryer “kontrolle të shtuara” për gjoja “arsye sigurie”.
“Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë, lidhur me pretendimet për ndalimin e autobusëve me shenja regjistrimi nga Kosova në pikat kufitare, thekson se këto pretendime janë të pabaza dhe se policia nuk ka ndaluar askënd ose të pengojë hyrjen dhe kalimin e ndonjë qytetari nga Kosova”, thuhet më tej në komunikatë.