Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se në sesionin e sotëm me rëndësi historike për Kosovën të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është duke marrë pjesë edhe një delegacion i deputetëve të Kosovës.
Po ashtu, në APKE po qëndron edhe kryediplomatja Donika Gërvalla dhe zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti.
Kuvendi thotë se në sesion, fillimisht, raportuesja për Kosovën, Theodora Bakoyannis, do ta prezantojë raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe mëpastaj do t’i jepet fjala anëtarëve të tjerë, përfshirë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE.
Njoftimi i plotë:
Sesioni me rëndësi historike për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Këtë javë, nga 15-19 prill 2024 po zhvillohen punimet e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në Strasburg. Tema e rëndësishme e këtij sesioni të APKE do të jetë debati dhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sot, me 16 prill 2024, në pjesën e sesionit të pasdites, do të zhvillohet debati për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në këtë sesion, marrin pjesë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci, kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, si dhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, zëvendësanëtarë.
Në APKE po qëndron edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dhe Zv. Kryeministrja, znj. Donika Gërvalla dhe Zv. Ministri i MPJD, z. Kreshnik Ahmeti.
Në sesion, fillimisht, raportuesja për Kosovën, znj. Theodora Bakoyannis, do ta prezantojë raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe mëpastaj do t’i jepet fjala anëtarëve të tjerë, përfshirë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE.
Pas debatit, raporti do të hidhet në votim ku kërkohen 2/3 e votave për miratim dhe më pas do t’i përcillet Komitetit të Ministrave për votim. Komiteti i Ministrave do të mbahet me 16-17 maj 2024.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.