Ambiciet e Kosovës për Këshill të Evropës – drejt finishit a bllokimit?

Kosova mund të bëjë një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e Evropës më 16 prill, kur Asambleja e tij Parlamentare ta shqyrtojë një raport që rekomandon anëtarësimin e saj.

Në Strasburg do të mbahet votimi dhe nëse dy të tretat e parlamentarëve kombëtarë, që përfaqësojnë 46 shtetet anëtare të organizatës, japin dritën e gjelbër, çështja do të kalojë para ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, saktësisht një muaj më vonë, dhe ata do ta marrin vendimin përfundimtar.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës – një synim i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008 – do të nënkuptonte, mes tjerash, përfaqësimin e parlamentarëve të saj në Asamblenë Parlamentare të organizatës. Kosovarët, po ashtu, do të mund t’i paraqisnin rastet e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendi do t’i bashkohej edhe Unionit të Transmetuesve Evropianë, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së tij në garën vjetore të këngës, Eurovizion.

Gjasat janë që dy të tretat e votave të arrihen. Një raport për këtë çështje u miratua më 27 mars nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili deklaroi se “aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës duhet të marrin përgjigje pozitive”.

Tani, 12 nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur – më pak se pakica bllokuese.

Ato përfshijnë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, pesë vendet e BE-së: Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, si dhe Armeninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Ato nuk kanë ndonjë arsye të përbashkët, por shumica e këtyre vendeve janë kundër pavarësisë së Kosovës ose për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre të brendshme territoriale, ose për shkak të çështjeve të tyre me pakicat, që potencialisht mund të kërkojnë pavarësi.

Megjithatë, jo të gjithë përfaqësuesit e këtyre vendeve mund të votojnë sipas pikëpamjeve politike, të shprehura nga kryeqytetet e tyre për Kosovën.

Përfaqësuesit ukrainas, për shembull, do të kenë “një votë të lirë” dhe mund të ndodhë që vendet e tjera ta ndjekin shembullin.

Ka të ngjarë të ketë mjaft përfaqësues që do të zgjedhin të abstenojnë – gjë që do t’i hapte rrugë një drite jeshile për Prishtinën. Është gjithashtu domethënëse që autorja e raportit, Dora Bakoyannis, është ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe motra e kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis.

Rrjedhimisht, nuk mund të përjashtohet mundësia që delegacioni grek – pavarësisht qëndrimit formal të mosnjohjes së Kosovës – ta mbështesë anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.

Pra, do të ketë një lojë numrash në Strasburg.

Deputetët e partisë në pushtet të Hungarisë, Fidesz, ka të ngjarë të votojnë kundër Kosovës, pavarësisht njohjes së Kosovës nga Hungaria. Kjo reflekton lidhjet gjithnjë e më të ngushta të Budapestit me Serbinë.

Në këtë mes mund të ndihmojë edhe grupi i atyre që Këshilli i Evropës i quan “juristë të shquar”, të cilët e kanë studiuar çështjen e anëtarësimit eventual të Kosovës nga pikëpamja ligjore.

Ata kanë pohuar se vlerësimi për shtetësinë, në fund të fundit, është një vendim politik, dhe kanë theksuar se prania e Kosovës në organizatat ndërkombëtare nuk sjell ndonjë kompetencë ekzekutive, se autoritetet e Kosovës ushtrojnë juridiksion mbi territorin dhe popullsinë e Kosovës, se Kosova ka marrëdhënie ndërkombëtare dhe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pra, bazë ligjore për anëtarësim ka, shkruan Evropa e Lirë.

Por, pse po ndodh kjo tani?

Ka disa arsye për këtë. Fillimisht, Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës menjëherë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. Me Moskën jashtë organizatës, Serbia ka humbur një nga aleatët e saj më të mëdhenj në këtë luftë. Pastaj është edhe fakti se Kosova, tashmë, u është bashkuar disa organeve të lidhura me Këshillin e Evropës, si Komisioni i Venecias dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.

I lidhur me këtë zhvillim është edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili vazhdon në nivele të ndryshme diplomatike që nga viti 2011.

Është e drejtë të thuhet se ky dialog gjendet tani në nivelin më të ulët ndonjëherë, për shkak të një numri incidentesh që kanë ndodhur vitin e kaluar, përfshirë këtu vendimin e Prishtinës për përdorimin e targave të Kosovës, dorëheqjen masive të serbëve të Kosovës nga policia dhe zyra të tjera publike, zgjedhjet lokale pa pjesëmarrjen e serbëve dhe sulmin – e lidhur me Beogradin – në Manastirin e Banjskës, i cili ka rezultuar me vrasjen e një zyrtari të Policisë së Kosovës.

Por, para kësaj, është dukur se është bërë një përparim i madh me Marrëveshjen e Ohrit, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur verbalisht në mars të vitit 2023.

Në njërën nga pikat e saj thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Dy dispozita të tjera janë, gjithashtu, të rëndësishme në këtë kontekst: se Kosova “do të angazhohet të sigurojë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin etnik serb në Kosovë” dhe “do të garantojë sigurinë e pronave të Kishës Ortodokse Serbe brenda kufijve të saj”.

Në lidhje me këtë marrëveshje janë edhe dy gjëra që duhet të dihen. Së pari, ajo nuk është nënshkruar nga asnjëra palë, edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur së paku gatishmëri për ta bërë një gjë të tillë. Pra, ligjshmëria e marrëveshjes është e diskutueshme. Së dyti dhe më me rëndësi, nuk ka ndonjë pajtim se çfarë duhet zbatuar së pari.

Kosova, në njëfarë kuptimi, ka lëvizur e para. Kjo ka ndodhur kur Qeveria e saj ka vendosur në muajin mars që t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Manastirit të Kishës Ortodokse Serbe në Deçan, në pjesën perëndimore të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të manastirit qysh në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës kanë refuzuar ta zbatojnë atë vendim.

Kjo kthesë e ka shtyrë Bakoyannisin që të rekomandojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Por, Kosova i ka edhe dy detyra të tjera për t’i kryer: themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe trajtimin e çështjes së shpronësimit të pronave në ato komuna. Sipas raportit të Bakoyannisit, të dyja këto çështje duhet të jenë një “angazhim pas anëtarësimit” i Prishtinës. Dhe, çështja është nëse bashkësia e gjerë ndërkombëtare pajtohet me këtë.

Nëse çështja kalon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, politikë e vërtetë, pastaj, do të bëhet rreth vendimit të Komitetit të Ministrave, muajin e ardhshëm. Ashtu sikurse në Asamblenë Parlamentare, vendimi mund të merret me një shumicë prej dy të tretash, por do të ishte i paprecedentë – ministrat, deri më tani, kanë arritur gjithmonë konsensus për pranimin e anëtarëve të rinj.

Serbia tashmë ka lënë të kuptohet se do të bëjë gjithçka të mundur për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës dhe ajo mund të ketë sukses.

Një skenar mund të jetë që në maj të mos merret fare vendimi përfundimtar.

I ashtuquajturi QUINT, i përbërë nga Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, do që të shohë një projektligj të mirëfilltë, të paraqitur nga Kosova, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, para se të bjerë dakord që çështja të dalë në rend dite në takimin ministror.

Ata e shohin këtë si shansin e fundit për t’i bërë presion Kurtit që ta pajtohet për këtë çështje, pasi anëtarësimi në Këshillin e Evropës është karota e fundit perëndimore që i ofrohet atij. Anëtarësimi në BE është ende një ëndërr.

Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2013, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e marrëveshjes, si për kompetencat ekzekutive që do t’i gëzonte Asociacioni, ashtu edhe për përbërjen e tij etnike, pasi duket se nuk mund të ketë joserbë të punësuar atje – gjë që, siç argumentohet, do të ishte antikushtetuese.

 

Pra, Kosovës mund t’i jepet një shtysë këtë javë gjatë votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por vendimi përfundimtar i 46 ministrave të Jashtëm mund të shtyhet për së paku një vit, nëse nuk arrihet më shumë përparim në javët në vazhdim.