E mbijetuara e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman ka rrëfyer siç thotë ajo ngjarjen më të tmerrshme në jetën e saj.
Ajo edhe pas 25 vitesh tregoi se kujt i tregoi për herë të parë lajmin që ia ndryshoi jetën.
“Sot është 15 prill mu m’ka ndodhë me 14 prill. Unë me 15 prill kam qenë në shtabin e UÇK në Stanovc i Epërm për herë të parë. E kam lajmëruar rastin në UÇK menjëherë me 15 prill. Krejt shpresën e mbështetjen e kam pas aty. Më kanë pritë mirë, komandanti ka qenë i anës tonë. Më ofrojshin medikamente për shkak se në mënyrë të vazhdueshme humbja vetëdijen. Unë e them gjithmonë se pa përkrahjen e familjes nuk kisha mujt me ja dalë. Përkrahja më e madhe duhet të vie nga familja. Nana jem e ka përjetu hala ma shumë se unë këtë ngjarje” ka thënë Krasniqi-Goodman. Ajo tregoi se si humbi rasti i saj në Gjykatë
“Të kisha mujt me i mbajt mend ma mirë dhe ndoshta drejtësia do të shkonte në vend. E kam pas frikën që nuk i kam shiku shenjat edhe më shumë. Rasti jem është humb për shkak të fotografisë që e kanë hekë si lloj dëshmie dhe është për keqardhje që një gjyqtare kosovare të ma humb rastin për atë lloj fotografie pasi ka pas shumë dëshmitar të tjerë” ka thënë ajo.
Krasniqi-Goodman tregoi momentin e ballafaqimit me të akuzuarit për dhunimin e saj.
“Unë kam qenë në Dallas, e gjykata ka qenë në Mitrovicë dhe dy dhunuesit kanë qenë aty ka qenë seancë e hapur dhe kam pasur lidhje dhe e kam pasur shumë të vështirë. Është dashtë çdo detaj të dhunimit me e rrëfye dhe aty ka qenë edhe vëllai im që është ardhë nga Gjermania për me qenë afër meje dhe gjatë rrëfimit vetëm ka qenë dhe për herë të parë ka kuptuar gjithçka që ka ndodhë. E rasti jem ka humb dhe personat nuk janë dënu” ka thënë ajo në T7.