Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e cila ishte pjesëmarrëse e Forumit Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë.
Pas takimit të mbajtur të presidentes Osmani me homologen e saj Musar, të dy presidentet janë deklaruar për media.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka pasur gjithmonë raport të shëndoshë me shtetin Slloven. Osmani tha se synimi kryesor i Kosovës është anëtarësimi i saj në Këshill të Evropës dhe në organizata tjera ndërkombëtare dhe se edhe në të ardhmen pret mbështetje të shtetit slloven.
Ajo theksoi votimin e nesërm të Këshillit të Evropës për të cilin tha se ato vota janë që do të fuqizojnë Kosovën.
“Kosova vazhdimisht ka mundur të llogarisë në Slloveninë dhe jemi të interesuar që të thellojmë këtë bashkëpunim edhe në fushën e sigurisë dhe administratës publike dhe të mësojmë nga përvoja e Sllovenisë sa i përket procesit të integrimit Evropian. Ne synojmë që të jemi pjesë e familjes euroatlantike, të anëtarësohemi në institucionet euroatlantike. Organizata në të cilat do të votohet shumë shpejt është Këshilli i Evropës dhe kjo për ne ka qenë kauzë për të drejtat e njeriut, për të gjithë qytetarët tonë, pa dallim gjuhe, etnie, prandaj vota e nesërme në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në qoftë se ajo është e suksesshme, me shpresën që po. Pastaj, vota në komitetin e ministrave janë vota pro të drejtave të njeriut, pra janë vota që do të fuqizojnë qytetarin e Kosovës pa dallim etnie apo religjioni. Ne synojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, NATO dhe në gjitha organizatat tjera ndërkombëtare ku ndajmë vlera të përbashkëta…..Qytetarët e Kosovës janë po aq evropian dhe kontribuojnë për vlerat e përbashkëta mbi të cilat është ndërtuar BE-ja, njësoj edhe sikur popujt evropian, prandaj, besojmë dhe shpresojmë shumë në përkrahjen e Sllovenisë, përderisa bëjmë hapa të sigurt drejtë anëtarësimit tonë të merituar në familjen Euroatlantike”, tha Osmani.
Ndërkaq, presidentja sllovene, Natasha Pirc Musar tha se përderisa dialogu vazhdon, ekziston një dritë në fund të tunelit për Kosovën dhe Serbinë.
Ajo shtoi se Kosova e ka mbështetjen e shtetit slloven për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
“Siç dëgjuam në konferencë që marrëveshjet paqësore është më lehtë të miratohen dhe të arrihen në qoftë se gratë janë në ekipet negociuese, prandaj inkurajoj Kosovën që të përfshijnë më shumë gratë, të negociojnë me Serbinë, për të zgjidhur problemet dhe siç thatë Vjosa, përderisa dialogu është i hapur ka dritë në fund të tunelit dhe besoj fuqishëm në një gjë të tillë, dhe mendoj se mund të marrë edhe ca kohë, por jam shumë e sigurt se Beogradi dhe Prishtina do të gjejnë gjuhën e përbashkët në fund për përfitim të popullit. E dini se keni mbështetjen e plotë të Sllovenisë për ti bashkuar kësaj organizatë ndërkombëtare. U trondita kur sot tha Vjosa, se Kosova është i vetmi vend në Evropë pa qasje në Gjykatën Evropiane së të Drejtave të Njeriut, dhe është plotësisht e padrejtë në shekullin 21, prandaj do të ju mbështesim gjatë gjithë rrugës. Uroj që Kosova të hyjë në Këshillin e Evropës, dhe shpresoj se do të jem gjallë, do të jetoj sa të shoh Kosovën në të gjitha integrimet ku meritoni të jeni,” ka deklaruar Musar.
Pas takimit me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim edhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.