Knaus thotë se sot është votuar unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE: Nesër votimi historik

Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet ka njoftuar se në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës sot është votuar unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Knaus u lajmëra përpara objektit të KiE në Strasburg, nga ku tha se votimi ishte “unanim”, përpara “votimit historik” në seancën e nesërme kur Asambleja Parlamentare do ta shqyrtojë raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës, raporton Gazeta Express.

⁩”Pak javë më parë, komiteti politik votoi në Paris për pranimin e Kosovës: 31 pro. Sot komisioni ligjor votoi: unanimisht!!”, shkroi Knaus në “X”.

Ky komitet, Knaus tha se konfirmoi raportin e ish-kryediplomates greke, Dora Bakoyannis se Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Europës. Komiteti e përgëzoi atë për “një raport të shkëlqyer” dhe tha se vendi i ka plotësuar kriteret.

Komiteti “ndan konkluzionin në draft opinionin statutor se Kosova ka arritur standardin minimal të kërkuar për anëtarësim në Këshillin e Europës edhe në fushën e çështjeve ligjore dhe të të drejtave të njeriut, edhe pse reforma duhet të vazhdojë”.

Komiteti konsideron se “Kosova është një ‘shtet europian’ për qëllimet e nenit 4 të Statutit të Këshillit të Europës dhe kritereve të shtetësisë sipas të drejtës ndërkombëtare”.

Prandaj, Komiteti tha se “mbështet përfundimin e draft opinionit statutor që favorizon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se vendi ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Asambleja Parlamentare do të diskutojë nesër për këtë dhe nëse ajo e jep dritën e gjelbër, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.