Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është intervistuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në cilësinë e të të pandehurës, nën dyshimin se e ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria Speciale njoftoi se Hajdari u mbrojt në heshtje.
“Pas interesimit të madh të mediave, Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më herët, ministrja Hajdari tha para mediave se nuk është intervistuar sot.