Sulmi ndaj Izraelit, mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Mijëra dronë iraninë i ka Serbia, po e monitorojmë gjendjen e sigurisë

Zyra e kryeministrit Albin Kurti me një njoftim për media kanë thënë se me ftesë të parit të Qeverisë, Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka mbajtur mbledhje.

Sipas tyre temë ishte sulmi i Republikës Islamike të Iranit mbi Izraelin ditë më parë, shkruan lajmi.net.

Ata thanë se Qeveria e vendit ka dënuar agresionin e Iranit.

Po aty është folur edhe për dronët me të cilët është sulmuar Izraeli, dhe po të tillë me mijëra i ka dhe Serbia.

Nga Qeveria thanë se janë duke përcjellë me vëmendje të shtuar situatën e sigurisë në bashkëpunim me KFOR’in.

Njoftimi i plotë:

Mbrëmë, me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti u mblodh Këshilli i Sigurisë së Kosovës. Temë qendrore ishte sulmi i Iranit ndaj shtetit të Izraelit, dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.

Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë.

Sulmi u krye me dronë Shaheed, prodhim iranian. Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaqë sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë.

Institucionet e Sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar, dhe janë duke e monitoruar gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë.