Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kanë paguar një çmim të lartë, për tu bërë pastaj kontribuuese të paqes, raporton Ekonomia Online.
Shefi i ekzekutivit, ka thënë se gratë e dhunuara gjatë luftës para një çerek shekulli ishin subjekt i luftës çnjerëzorë të Serbisë, ndërsa “sot janë heroinat tona”.
“Jemi bashkë çdo ditë në kauzën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, çdo kund. Ne jemi pranë të mbijetuarve gjithmonë edhe dje edhe sot. Duke paguar një çmim shumë të lartë për lirin ato bëhen kujdestare më të mira të lirisë, andaj edhe kontribuojnë në paqe, e sjellin më shpejt atë. Përfshirja dhe pjesëmarrja e tyre siguron paqen. Paqen që qëndron e shndërron”, ka thënë Kurti.
Ato që para një çerek shekulli ishin subjekt i luftës çnjerëzorë të Serbisë, sot janë heroina tona, heroina të zëshme e të heshtura, ndonëse nuk ua dimë emrat, të gjithëve ja dimë forcën. Nuk mund të ecim drejt paqes globale pa reflektuar thelle në atë se çka do të thotë të jesh njeri. Themeli i paqes është drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i kriminelëve. Dialogu i mirë mund të zhvillohet kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, ka thënë ai.